Republika E Kosovës Republika Kosovo - Republic of Kosovo Kuvendi - Skupština - Assembly
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Republika e Kosovës Republika Kosovo - Republic of Kosovo Kuvendi - Skupština - Assembly T R A N S K R I P T I MBLEDHJES SË JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, E MBAJTUR MË 11 DHE 12 TETOR 2016 SA VANREDNE SEDNICE SKUPŠTINE REPUBLIKE KOSOVA, ODRŽANE 11. I 12. OKTOBRA 2016. GODINE TETOR - OKTOBAR 2016 Rendi i ditës 1. Debat parlamentar me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, z. Nehat Thaçi, nga autoritetet e Serbisë Dnevni red 1. Parlamentarne rasprave povodom hapšenja Direktora Policije Kosova u regiji Mitrovice, g-din Nehat Thaçi, od strane vlasti Srbije. 2 Mbledhjen e drejtoi kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli. KRYETARI: Të nderuar deputetë, I nderuar kryeministër, zëvendëskryeministër, dhe ministra të Kabinetit qeveritar, I hap punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës me kërkesë të 45 deputetëve, me një pikë të rendit të ditës të vetme: 1. Debat parlamentar me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, z. Nehat Thaçi, nga autoritetet e Serbisë Të nderuar kolegë, Ju njoftoj se deputeti Gëzim Kelmendi, i mbështetur edhe nga 44 deputetë tjerë të grupeve të ndryshme parlamentare, mbështetur në nenin 69.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit, ka parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, zoti Nehat Thaçi, nga autoritetet e Serbisë. E ftoj deputetin Gëzim Kelmendi që në emër të parashtruesit të kërkesës për debat të marrë fjalën. Urdhëro, i nderuar deputet, fjala për ju. I nderuar deputet, në rregull jemi deri këtu për arsye se jemi vetëm në debat. Në moment kur votojmë, pastaj e thërrasim kuorumin. Urdhëro i nderuar deputet Gëzim Kelmendi, ndërkohë më lejoni të nderuar kolegë në emrin tim dhe tuajin të përshëndes edhe prindin e zotit Nehat Thaçin, të cilin e kemi të pranishëm në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Faleminderit! GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryetar i Kuvendit! I nderuar kryeministër, Të nderuar deputetë, I nderuar Kabinet qeveritar, I nderuar prind i drejtorit të Policisë Rajonale, Nehat Thaçi, Më lejoni që në fillim t’i falënderoj deputetët nënshkrues për këtë iniciativë dhe njëherësh të falënderoj edhe kryetarin e Kuvendit dhe Kryesinë që ka mundësuar mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme. Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së enjte, më 29 shtator 2016, në pikën kufitare Kosovë- Serbi është arrestuar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi. 3 Arrestimi i tij është bërë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jolegale. Ashtu siç jemi të njoftuar, aktakuza e ngarkon atë për vepër penale të dëbimit të një familjeje serbe gjatë periudhës së luftës në Kosovë të vitit ‘99 në rajonin e Lipjanit. Aktualisht, drejtori i Policisë, Nehat Thaçi, është i burgosur në Burgun e Nishit dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Më 10 tetor, konkretisht ditën e djeshme, ka dalë para Prokurorisë për krim të organizuar në Beograd, ku i është lexuar aktakuza për veprën penale, me të cilën e ngarkon drejtorin e Policisë Rajonale të Kosovës, por i njëjti e ka mohuar në mënyrë kategorike këtë aktakuzë. Kujtojmë se arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, nuk është i pari, por dyshojmë të mos jetë as i fundit. Ne si Kuvend i Kosovës jemi të bashkuar në mënyrë unanime që ta mbrojmë të drejtën, lirinë e qytetarëve dhe lëvizjen e tyre. Ne shpresojmë që ky arrestim i tij të jetë i fundit dhe e dimë që nuk është i pari. Pse nuk është i pari? Bazuar në fletarrestimet e lëshuara nga Serbia, janë ndaluar më herët edhe dy figura të larta të Republikës së Kosovës, konkretisht dy ish-kryeministra, ish kryeministri Haradinaj dhe ish- kryeministri Çeku. Arrestimet kanë vazhduar në vazhdimësi, e veçanërisht është atakuar Diaspora shqiptare, të cilët gjatë udhëtimit të tyre për në Kosovë janë ndaluar dhe janë arrestuar me të njëjtën aktakuzë për pjesëmarrjen terrorizëm, kryesisht gjatë fundviteve të ‘90-ta dhe për pjesëmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimet gjithashtu i kanë goditur edhe bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në Diasporë. Rasti më i freskët është ai në Zvicër, ku me kërkesë të autoriteteve serbe janë arrestuar dy bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Zvicër me akuzën për pjesëmarrje në terrorizëm, konkretisht si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që ne, të nderuar deputetë, edhe sot e 17 vjet pasluftës po përballemi me një agresion dhe me një fushatë denigruese nga Qeveria e Serbisë ndaj qytetarëve tanë, në përgjithësi, dhe veçanërisht ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në veçanti. Heshtja e institucioneve më të larta shtetërore të vendit tonë, duke filluar nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë dhe ia ka dhënë komoditetin Qeverisë së Serbisë që ata në mënyrë mjaftë komode të merren me arrestimin e pjesëtarëve tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe qytetarëve tjerë të Republikës së Kosovës. 4 Kosova dhe Serbia pa dyshim si dy vende, si dy shtete fqinja, duhet të bashkë punojnë në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, duhet të bashkëpunojnë edhe kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe tregtisë me substanca narkotike, shqetësime këto të ngrehura edhe nga raportet ndërkombëtare. Por, përkundrazi, Qeveria e Serbisë nuk bashkëpunon fare në këtë drejtim me Kosovën. Ajo vazhdon me persekutimin, arrestimin dhe ndalimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne si Kuvend i Kosovës jemi institucioni më i lartë në Republikën e Kosovës. Duhet t’ia japim një mesazh të qartë dhe të fortë Qeverisë së Serbisë, se nuk do të lejojmë që askush të fyejë dhe të lëndojë dinjitetin e bijve dhe bijave tona, ushtrisë tonë çlirimtare dhe shtetit të Kosovës, në përgjithësi. Të mos harrojë Beogradi se ne jemi viktima dhe regjimi i atëhershëm i Serbisë është agresori. Ne kemi rreth 20 mijë të vrarë në luftën e fundit, kemi mbi 12 mijë gra të dhunuara, kemi mbi njëmijë të zhdukur që ende nuk janë kthyer dhe kemi një terrorizëm dhe gjenocid të ushtruar e të paparë në fundvitet te ‘90-ta ndaj popullatës së Kosovës. Dhe, Beogradi vazhdon të na arrestojë. Unë po pyes ku jemi ne? Ku janë bijtë dhe bijat tona? Pse kemi heshtur? Mendoj që ka ardhur momenti i fundit që ne si Kuvend, si institucioni më i lartë i Republikës së Kosovës t’i themi Qeverisë së Serbisë se është mjaft. Është mjaft. Definitivisht ka kaluar çdo normë etike, morale dhe njerëzore me këto arrestime të pakufishme, të pajustifikueshme dhe pa të drejta. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Kosova nuk e do luftën. Kosova nuk e do dhunën. Kosova nuk e harron të kaluarën, por Kosova e do dhe duhet ta mbrojë qytetarin e saj. Në kërkesën që ia kam dërguar Kryesisë së Kuvendit, bashkuar me nënshkrimin e 44 deputetëve të tjerë, kam propozuar që në fund të këtij debati parlamentar të dalim me një rezolutë, e përbërë nga rekomandimet, por si propozues i kësaj seance të jashtëzakonshme ndiej një obligim moral që së paku brenda kësaj rezolute, e cila do të hartohet në fund të këtij debati parlamentar, të propozoj një rekomandim, pastaj pa dyshim që do të marrim edhe rekomandime më të mira nga ju, nga grupet parlamentare, rekomandime më produktive. Unë propozoj që rekomandimi i parë brenda kësaj rezolute të jetë ndërprerja e menjëhershme e dialogut në Bruksel me Qeverinë e Serbisë. (Reagime nga salla) Pse po reagoni ashtu? Tash do ta shihni që jeni të penduar që reagoni ashtu! 5 Sot, më 11 tetor, ministri i Qeverisë së Serbisë, i Energjisë dhe i Minierave, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Kosovën me të vetmin pretekst pse Kuvendi ditë më parë e ka miratuar Projektligjin për “Trepçën”. Do të thotë, ata bën të kërkojnë ndërprerjen e dialogut, e ne nuk bën! Përkundrazi, ne kemi shumë më shumë arsye që ta kërkojmë ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe kusht për të vazhduar ky dialog janë dy prime bazë. Lirimi i menjëhershëm i drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, dhe e dyta zhvlerësimi i të gjitha aktakuzave dhe fletarresteve të ngrehura për qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me luftën e fundit në Kosovë dhe në fundvitet e ‘90-ta. Të nderuar deputetë, Jemi të pastër, të pafajshëm dhe të drejtë në kuptim të plotë të fjalës shtet sovran dhe i pavarur. Vetëm kështu mund ta mbrojmë qytetarin tonë, mund ta mbrojmë luftën tonë të ndershme për liri, mund ta mbrojmë shtetin e Kosovës. Ju falënderoj edhe një herë për mbështetjen që keni dhënë dhe pres e mirëpres rekomandimet tuaja që të dalë një rezolutë produktive dhe e fuqishme në mbrojtje të vendit dhe të qytetarëve tonë. Faleminderit! KRYETARI: Faleminderit, i nderuar deputet! Tani fjalën e kanë kryetarët ose përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke pasur parasysh se nuk kam asnjë paraqitje në emër të grupeve parlamentare, unë i kam emrat e shumë deputetëve, kisha pasur dëshirë, kur grupet parlamentar, PDK-ja në këtë rast, ta ngrejë dorën kush flet në emër të grupit, pastaj LDK-ja. Do të shkojmë me radhë në bazë të partive politike. Nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i Grupit Parlamentar, zoti Zenun Pajaziti. ZENUN PAJAZITI: Faleminderit, kryetar! Kryeministër, zëvendëskryeministër, anëtarë të Qeverisë, Kolegë deputetë, Edhe ky debat që është iniciuar sot përbën një nga sfidat tona, na imponohen çështjet që në kushte dhe rrethana normale nuk do të kishim pasur nevojë. Por, është mirë që sot këtë debat, të iniciuar nga zoti Kelmendi dhe disa deputetë tjerë ta shndërrojmë në një përpjekje shtesë, në një favor për lirimin sa më të shpejtë të Nehat Thaçit.