Letërsia Shqipe Në Kosovë
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Kënaqësia e leximit 5 LETËRSIA SHQIPE NË KOSOVË Fillet e letërsisë shqipe në Kosovë janë të hershme sa fillet e letërsisë shqipe në përgjithësi. Pjetër Budi nga Mati, që veproi dhe krijoi në Kosovë, me shkrimet e tij në prozë dhe me mbi 3.000 vargjet tetërrokëshe të botuara në vitet 1618-1622, pas “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555), shënon autorin e parë të rëndësishëm të kësaj letërsie. Në fakt ai referonte shkrimet e Pal Hasit nga Rrethi i Prizrenit para tij, por që nuk është ruajtur. Pjetër Bogdani, po ashtu nga Hasi, me veprën e tij Cuneus Prophetarum (1685) shënon pikën më të arrirë të letërsisë shqipe të sh. XVI-XVIII, ndërsa këtë traditë në Kosovë e vijoi Gjon Nikollë Kazazi (1643). Në sh. XIX ishte e njohur letërsia me shkrim arab dhe me ndikim të theksuar oriental. Njihet sidomos Tahir Efendi Boshnjaku me veprën e tij Vehbije të vitit 1835, më vonë Sheh Hilmi Maliqi, apo më tej autorë tashmë në rrjedhat e letërsisë shqipe të sh. XIX si Ndue Bytyçi, Shtjefën Gjeçovi e të tjerë. Lidhur me letërsinë shqipe në Kosovë, dy çështje shfaqen të paqarta: e para, cila është hapësira brenda së cilës shtrihet harku kohor i saj; dhe, e dyta, cila është hapësira që e përbën atë. Studimet e pakta që këtë letërsi e kanë emërtuar si krah të letërsisë shqipe, apo qarku letrar i Kosovës, atë e vendosin në pjesën e dytë të sh. XX, përkatësisht pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, fillimet e saj lidhen me shkrimet e para letrare në nismë të viteve ‘50, që tingëllon si një fillim nga asgjëja. Trajtimi i tillë i kësaj pjese të letërsisë shqipe duket mekanik dhe jo fort i besueshëm. Plejada e parë e shkrimtarëve kosovarë, që e mbushin hapësirën krijuese në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ‘60, dëshmon të kundërtën: pos mbështetjes së letërsisë gojore shqiptare, ata kishin edhe mbështetjen e letërsisë së shkruar, sidomos atë të traditës së Rilindjes. Çështja e dytë mbase është më e lehtë për sqarim. Bëhet fjalë për autorë shqiptarë, të cilët janë realizuar kryesisht në Prishtinë, por që janë me prejardhje apo vendbanim jashtë Kosovës. Janë dhjeta emra, bie fjala, nga Maqedonia, veprat e të cilëve janë botuar në Kosovë dhe kanë qenë përbërës të ambientit dhe atmosferës letrare të saj. 6 Ali Aliu Poezia Pas Luftës së Dytë Botërore, libri i parë i botuar me poezi në Prishtinë ishte Një fyell ndër male (1953) i Martin Camajt. Edhe libri i dytë, Kanga e vërrinit , një vit më pas, ishte i këtij autori. M. Camaj, lindur në Dukagjin dhe shkolluar në Shkodër (në Kolegjin Severjan), më pas emigrant në ish-Jugosllavi, së bashku me Esad Mekulin ( Për ty , 1955), i cili poezitë e para i kishte botuar në gjuhën serbe në shtypin e Mbretërisë SKS qysh në vitet tridhjetë, i prijnë plejadës së poetëve të talentuar të Kosovës. Së shpejti do të shohë dritë edhe libri i parë poetik i Enver Gjerqekut ( Gjurmat e jetës , 1957) dhe vepra Tufa e Latif Berishës, që të pasohen nga vëllimet Bebzat e mallit (1960) po të Gjerqekut, Bulzat e Azem Shkrelit dhe Zani i malit nga Murat Isaku, po në atë vit. Një vit më vonë, pra më 1961, në letërsinë e Kosovës do të shfaqen veprat e katër emrave të tjerë të rinj të talentuar: Fahredin Gunga, Pëshpëritjet e mëngjesit ; Adem Gajtani, Drita në zemër ; Din Mehmeti, Në krahët e shkrepave dhe Ali Podrimja, Thirrje . Deri në gjysmën e parë të viteve 60, në bibliotekën poetike kosovare numri i librave kishte kaluar mbi tridhjetë. Vetëm brenda këtij harku kohor, përveç emrave të përmendur më sipër, që tani më kishin botuar edhe librin e dytë (Shkreli, Podrimja, Gajtani, Isaku etj.), ishin shfaqur dhe ishin bërë të njohur poetët Rrahman Dedaj ( Me sy kange , 1962), Qerim Ujkani ( Hullinat , 1963), Ali Musaj (Vetëm jehona , 1963), Josip Rela ( Vjersha , 1964), Abdylazis Islami (Era dhe vargjet , 1964), Rexhep Hoxha ( Me sy kah Parnasi , 1965), Beqir Musliu ( Rima të shqetsueme , 1965), Besim Bokshi ( Në pritje , 1966) etj. Autorët e nismës poetike kosovare kështu e mbulojnë së paku gjysmën e hapësirës letrare të shqipes. Ata kryesisht vijnë rajonesh të largëta nga njëra-tjetra, duke sjellë në vargjet e tyre edhe ndjeshmëri dhe formim origjinal, në shkallë që, po ashtu, nuk ka tipare, përkatësisht nuk ngjan me një letërsi që fillon nga e para. Përkundrazi, disa nga autorët e këtij brezi, do ta ngrenë poezinë shqipe në tërësi në majat ku qëndron për një gjysmë shekulli. Poezia e Camajt, që sillte mallin për vendlindjen, për natyrën e malësisë shqiptare, do të jetë shtytës i ndjeshëm për poezinë kosovare. Talentin e fuqishëm Azem Shkreli do ta shpalosë duke artikuluar edhe bukurinë e vendlindjes, siç do të bëjë edhe Din Mehmeti në vijën e poetikës së Camajt, por me origjinalitet të papërsëritshëm. Shtysë të tillë ushtroi edhe vepra e Mekulit, e cila përmes entuziazmit për lirinë, Kënaqësia e leximit 7 së cilës i besonte se kësaj here ka aguar edhe për shqiptarin, i këndonte krenarisë dhe dashurisë për popullin e vet të vuajtur. Përmes poezisë së Gjerqekut, sidomos frymëzimi tematik dhe poetika mekuliane, po ashtu do të lërë gjurmë te një plejadë e tërë poetësh, të cilët do të shfaqen shpejt në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ’60. Në fund të viteve ‘50, do të shfaqet brezi i “të nëntëve”: F. Gunga, B. Bokshi, A. Gajtani, M. Shehu, D. Mehmeti, M. Kërveshi, A. Shkreli, G.Nura dhe Rr. Dedaj. Ky brez, i prirë Azem Shkreli, do të përbëhet edhe nga Gunga, Dedaj, Gajtani, Mehmeti dhe, shumë shpejt, po me këtë ritëm dinamik dhe cilësor do të shfaqet edhe poezia e A. Podrimjes. Azem Shkreli shquhet mbi të gjithë për mundësitë e mëdha krijuese. Edhe pse vargjet e tij të para ngjizen kryesisht në vendlindje dhe me vendlindje, mprehtësia e vrojtimit dhe shprehja e ngjeshur janë veçori dalluese të poetikës së tij. Fragmentet e mozaikut të natyrës në poezinë e tij mëtojnë përmasa të veçanta në artikulim. A. Shkreli gjatë gjysmëshekullit të kaluar vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe përgjithësisht, që aktualisht vazhdojnë të qëndrojnë mirë. Ali Podrimja, në moshë gjimnazisti, në fund të viteve ‘50 sapo kishte bërë hapat e parë poetikë në faqet e revistës Jeta e re . Në moshën 17- vjeçare ai botoi vjershën Bukuria, që edhe sot tingëllon e përsosur. Kështu, së shpejti ai iu bashkua grupit më të talentuar të të nëntëve dhe do të vazhdojë edhe aktualisht të jetë njëri nga zërat më të shquar të letërsisë shqipe. Pjesën e dytë të viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ‘70 në poezinë e Kosovës do të shfaqen me dhjeta emra të rinj. Por, emrat që do të shquhen janë: Beqir Musliu, Teki Dërvishi, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Ymer Shkreli, Nexhat Halimi, Jusuf Gërvalla, Agim Mala, Shaip Beqiri, Edi Shukriu, Musa Ramadani, Nehas Sopaj, Resul Shabani etj. Refuzimi dhe afirmimi thuaja rebelues do të shfaqen në vargjet e para të Sabri Hamitit, bredhje e imagjinatës nëpër të kaluarën historike e mitologjike arbërore, për të identifikuar dhe përqasur të tanishmen dhe të nesërmen e mjegullt, të dyshimtë, ironizimi metonimik në poezinë e Eqrem Bashës, Teki Dervishit etj. Ishte dëshmi bindëse tani se poezia shqipe e krahut kosovar po e krijonte një poetikë, e cila brenda kësaj hapësire letrare kaq të pasur dhe me individualitete të fuqishme po kultivonte një veçanti shprehëse të përbashkët: gjuhën ezopike, gjuhë të cilën e mbollën lehtë dhe diskretshëm brezi i fundviteve pesëdhjetë dhe e fillimit të viteve gjashtëdhjetë. Në pjesën më të avancuar të poezisë kosovare, kështu, 8 Ali Aliu gjatë tërë gjysmës së dytë të sh. XX shprehej mosbesimi ndaj vlerave të proklamuara, si dhe revolta diskrete ndaj një realiteti politik në thelb antishqiptar. Poezia shqipe e Kosovës, prandaj, gjatë këtij harku kohor, arriti vlera universale më të avancuara në letërsinë shqipe përgjithësisht. Ajo mbështetej në përvojat dhe shkollat më cilësore universale poetike, për t’u shprehur dhe për të qenë njëkohësisht e pranishme, e pandaluar nga censura, edhe pse herë-herë ndodhte edhe ndalesa. Poetët e talentuar kosovarë sikur lindnin bashkë me këtë kod të programuar poetik, siç është rasti me Podrimjen dhe poemthin lirik Hija e tokës , shkruar në moshën 18-vjeçare. Të tilla tingëllonin edhe vargjet e para të Sabri Hamitit në fillim të viteve shtatëdhjetë, apo të Beqir Musliut, duke e kullandrisur deri në përsosje atë që e nisi brezi i fillimeve, i cili vazhdonte të prijë në botën poetike të Kosovës, si në vargjet e Azem Shkrelit, Fahredin Gungës, Rahman Dedajt etj. Poezitë e Bokshit, të botuar në gjysmën e viteve ‘60 janë shembulli më karakteristik i kësaj poetike. Vitet tetëdhjetë dhe revolta e rinisë universitare e Kosovës, që me shpejtësi u shtri në tërë hapësirën kosovare, solli me vete edhe brezin e poetëve të radhës si: Basri Çapriqi, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Abdullah Konushevci, Fatmir Sulejmani, Salajdin Salihu, Lulzim Haziri, Mustafë Xhemajli, Linditë Ahmeti, Anton Berishaj, Lindita Aliu (Tahiri), së fundmi edhe Kujtim Shala, Vehbi Miftari etj. Proza Paralelisht me poezinë, gjatë viteve pesëdhjetë dhe fillimviteve gjashtëdhjetë, në vëllim dhe cilësi qëndronte edhe proza, kryesisht e llojit të shkurtër, pa munguar edhe romani. Emrat si Hivzi Sulejmani, Anton Pashku, Ramiz Kelmendi, Adem Demaçi, Azem Shkreli, Zekeria Rexha, Sitki Imami, Ramadan Rexhepi, Kapllan Resuli ishin ata që e krijuan atmosferën letrare kosovare, sidomos të këtij zhanri. Secili nga ata vinte me prurje dhe me fizionomi artistike të formuar, që ishte edhe një dëshmi se krahas talentit, veprat e tyre kishin mbështetjen e trashëgimisë letrare të shqipes, të shkruarën dhe gojoren si dhe formimin krijues si përvojë universale.