Shkarko Falas
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Bajram Kosumi FISHTA DHE LETËRSIA SHQIPTARE E TRADITËS Bajram Kosumi FISHTA DHE LETËRSIA SHQIPTARE E TRADITËS Copyright © autori Kolona: Histori e letërsisë shqipe Design & Layout: ORBIS, Prizren Ky libër është i formatit eBook. Botimet Filozofia Urbane ISBN: 978-9951-641-34-0 Prishtinë, 2013 www.filozofiaurbane.com www.librariaelektronike.com H Y R J E Vepra letrare e Gjergj Fishtës ende nuk është shqyrtuar shterueshëm nga kritikët letrarë dhe nga historianët e letërsisë. Ka një mbushull- im shqyrtimesh kritike të shkurtra në vitet 30-40 të shekullit XX, shu- mica e këtyre shkrimeve me vlerësime sipërfaqësore apo të bëra me rastin e vdekjes së poetit. Po edhe aty ka disa shqyrtime thelbësisht përcaktuese. Ka pastaj një histori të keqe të refuzimit politik të veprës së Fishtës e deri në ndalimin e plotë të saj, për t’u rizbuluar kjo vepër në vitet 90 të shekullit XX, për të vazhduar kritika letrare përsëri me bujshmërinë e cilësimeve madhore. Vetëm këto vitet e fundit ka filluar një shqyrtim më përmbajtësor dhe më detajizues i kësaj vepre. Ende pa ndodhë ky shqyrtim, kritikët dhe lexuesit e veprës së Fishtës, duke parë vlerën e lartë të saj, kanë shtruar çështjen e vendit të Fishtës në historinë e letërsisë shqipe. Nga ana tjetër, vepra e Fishtës është e veçantë nga tradita letrare shqiptare, që në leximin e parë, së paku për tri qasje kryesore. Së pari, Fishta ka shkruar epin kombëtar shqiptar në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si formë letrare, konsiderohej po ashtu si punë e së kaluarës. Epi kombëtar shqiptar Lahuta e Malcis e Fishtës, është epi i fundit i një letërsie evropiane. Së dyti, vepra e Fishtës, në përg- jithësi, ka një marrëdhënie të ngushtë me letërsinë popullore, aq sa në hi- storinë e letërsisë shqipe është shtruar natyrshëm pyetja se a është Fishta poet origjinal apo poet-këngëtar popullor i eposit historik? Në të njëjtën 3 Bajram Kosumi kohë, vepra e Fishtës, në çështje të metodës letrare, dallon thelbësisht nga letërsia e kohës së tij, aq shumë saqë këto dallime nuk mund të klasifi- kohen si çështje të stilit personal. Duke qenë e dallueshme nga letërsia tjetër, duke qenë e lidhur pothuajse organikisht me traditën popullore, duke qenë pothuajse e papritur si formë letrare, vepra letrare e Fishtës është përjetuar dhe ende vazhdon të përjetohet si një paradoks letrar në letërsinë shqipe. Kjo veçanti e veprës së Fishtës, e cila mund të quhet edhe paradoks letrar, imponon një shqyrtim thelbësor të marrëdhënieve të kësaj vepre me traditën letrare shqiptare. Këtu ka lind ideja për temën e shqyrtimit tonë Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës. Kur jemi përcaktuar për këtë temë kemi pasur parasysh një qëllim: shqyrtimin dhe zbulimin e lidh- jeve, të ngjashmërive dhe të dallimeve, të veprës së Fishtës me gjithë tra- ditën letrare shqiptare. Zbulimi i këtyre ngjashmërive dhe dallimeve, të cilat krijojnë veçantinë e kësaj vepre, paradoksin letrar me emrin Fishtë, do të na jepte Fishtën në dritën e vërtetë, jo vetëm nga prizmi i një lexue- si, por edhe nga prizmi i historisë së letërsisë shqiptare. Po kështu, kur jemi përcaktuar për këtë temë kemi parandier pre- sionin e gjerësisë së temës në shqyrtim. Në historinë e letërsisë shqipe janë shkruar monografi të gjera për një poet, monografi për një peri- udhë letrare apo për një formë letrare, janë shkruar edhe histori për gjithë letërsinë shqipe, po nuk ka një studim të gjerë për marrëdhënien e një poeti të madh me krejt traditën letrare shqiptare. Si mund të kon- siderohet e shkruar një histori e letërsisë shqipe nëse paraprakisht nuk ka studime krahasimtare brenda trungut letrar shqiptar? Kjo gjerësi e temës ka kushtëzuar edhe mënyrën e qasjes ndaj saj, e që është pjesë e metodologjisë studimore. Ka pasur dy rrugë: një, shqyrtimi veç e veç i 4 FISHTA DHE LETËRSIA SHQIPTARE E TRADITËS elementeve e parimeve të letërsisë së Fishtës, duke e krahasuar secilën prej tyre me gjithë traditën letrare shqiptare dhe dy, krahasimi i të gjitha elementeve e parimeve të letërsisë së Fishtës me çdo periudhë letrare të letërsisë shqipe, veç e veç. Metoda e parë do t’i jepte parësinë veprës së Fishtës, por do të ishte e njëanshme, sepse krahason vetëm ato elemente e parime që janë prezente në veprën e tij, por jo edhe ato që mungojnë te ai dhe janë prezente te autorë të tjerë. Në fund, qasja e parë do të re- zultonte me një studim interesant dhe të pëlqyeshëm edhe për lexuesin. Metoda e dytë duket e afërt me studimet tradicionale shqiptare të letër- sisë, aq sa mund të quhet edhe klasiciste, krijon situata të përsëritjeve nga kapitulli në kapitull, mirëpo, kjo metodë rezulton me një studim të saktë, më të plotë e më të përimtuar, më akademik dhe si rrjedhim, të mërzitshëm për lexuesin e zakonshëm të letërsisë, por me shumë in- teres për shkencën e letërsisë. Ne jemi përcaktuar për qasjen e dytë, duke rrezikuar nga pak tërësinë dhe unitetin e shqyrtimit në favor të studimit shterues të çdo detaji që e njëjtëson apo e dallon veprën e Fishtës nga tradita letrare shqiptare. Qasja metodologjike ndaj temës në shqyrtim ka paracaktuar kraha- simin si themel metodologjik në shqyrtimin e kësaj teme. Mbarë tema e shtruar këtu është një krahasim. Duke zbërthyer vetëm krahasimin ne do të zbërthejmë gjithë materien e saj. Krahasimi, në këtë shqyrtim, përfshin një gamë të gjerë çështjesh, prej më të gjerave, si është krahasimi i burimeve të ndikimit kulturor në ndërtimin e figurës poetike (p.sh. areali kristian te De Rada, areali kris- tian+tradicional shqiptar te Fishta, areali Lindor+tradicional shqiptar te Naimi) e deri te më të imtat, siç është përdorimi i vargjeve të metrave të 5 Bajram Kosumi ndryshëm. Krahasimet janë bërë sipas një rendi logjik, prej të përgjithsh- mes kah e veçanta, me ç’rast: janë krahasuar ngjashmëritë, si p.sh. struktura ndërtimore e tekstit poetik në motivet e kundërshtimit midis prijësit dhe një luftëtari pop- ullor, te Fishta dhe te Naimi është e ngjashme; janë krahasuar përkimet, siç është vargu tetërrokësh i Fishtës dhe vargu tetërrokësh i Pjetër Budit, apo konceptet estetike të Fishtës të përkueshme me ato të Bogdanit; janë krahasuar ndikimet e tërthorta, si p.sh. ndikimi i teorive roman- tike për letërsinë popullore te Fishta, që mund të vijë nga disa drejtime: nga letërsia proklasike shkodrane, nga romantizmi arbëresh, nga vetë romantikët italianë dhe nga romantikët sllavë; janë krahasuar ndikimet e drejtpërdrejta, siç është ndikimi nga letër- sia e autorëve të vjetër të Veriut për fjalët e vjetra shqipe, por edhe në mitet letrare si miti i gjuhës, i atdheut etj.; janë shqyrtuar dallimet, si p.sh. hiperbola te Fishta, si figurë që shpreh madhështinë dhe litota te Naimi, si figurë që shpreh dashurinë; është vazhduar me krahasimet e mungesave, sepse ka elemente letra- re që qenësojnë te Fishta po nuk janë te autorët e tjerë, siç është boshti moral i gjithë veprës letrare të Fishtës, Atme e Fe, e po ashtu ka elemente letrare të rëndësishme për autorët e tjerë apo për një periudhë letrare, por të parëndësishme për Fishtën, si p.sh. tema e dashurisë për roman- tikët, apo motivi i natyrës për të gjithë poetët romantikë, i munguar te Fishta. Po ashtu, materia letrare e krahasuar është e një game të gjerë: janë krahasuar idetë poetike, tematika, motivet, strukturat e tekstit letrar, teknikat e vargut e të strofës, teknikat krijuese e modelet e shkrimit letrar. 6 FISHTA DHE LETËRSIA SHQIPTARE E TRADITËS Në fund të hyrjes na mbetet të sqarojmë vetëm edhe elementet e kra- hasimit. Çdo krahasim ka dy elemente: i pari që është objekt i krahasim- it, e në këtë rast është vepra e Fishtës dhe i dyti, që është objekti me të cilin bëhet krahasimi, e që është tërë tradita letrare shqiptare. Elementi i parë, vepra e Fishtës, këtu është gjithë ajo vepër që është botuar deri tash dhe e cila i është nënshtruar syrit të lexuesit. Këtu përfshihet jo vetëm vepra letrare, por edhe ajo estetike, publicistike etj. Elementi i dytë i kra- hasimit, tradita letrare shqiptare, është parë si në historinë tradicionale të letërsisë shqipe, e ndarë nëpër periudha letrare, si: autorët e vjetër të Veriut, letërsia e romantizmit, duke shtuar këtu edhe poetët e rrethit kul- turor shkodranë, veçanërisht ata françeskanë, më shumë për shkak të lidhjeve që Fishta ka pasur gjatë gjithë jetës me këtë rreth prelatësh dhe shkrimtarësh. Deri ku shkon kjo traditë? Për lexuesin e sotëm traditë letrare është edhe vetë Fishta, por për Fishtën traditë letrare ka qenë ajo letërsi që është bërë pjesë e historisë së letërsisë në kohën e tij. Duke u nisur nga ky konstatim vepra e Fishtës është parë në lidhje me atë që ai e ka kon- sideruar traditë letrare shqiptare. Kjo vepër nuk është shqyrtuar në lidh- je me autorët që kanë bashkëjetuar me Fishtën, përveç në ndonjë rast të veçantë, siç është shqyrtimi i koncepteve estetike të Fishtës e të Faik Konicës. Krahasimi kaq i gjerë, thelbësor, i tërësishëm dhe i përimtuar do të mundësojë një gjykim të ri për veprën e Fishtës dhe për rolin e saj në historinë e letërsisë shqipe, në bazë të vetë elementeve, parimeve e të vlerave që ka kjo vepër. Në fund, ky shqyrtim konsideroj se është një ndihmesë për studimet krahasimtare brenda trungut letrar shqiptar. 7 Kreu i parë FISHTA DHE AUTORËT E VJETËR TË VERIUT 9 FISHTA DHE LETËRSIA SHQIPTARE E TRADITËS I. RRETHANAT E LINDJES SË LETËRSISË SË SHKRUAR SHQIPE Historia e letërsisë shqipe nis me letërsinë filobiblike të krijuar nga autorët e vjetër të Veriut, që jetonin kryesisht në tokat e veriut të Shqipërisë së sotme dhe në gjysmën jugore të Kosovës, hapësira të cilat mbanin të ngjitur për veten e tyre fshatra e qytete shqiptare të Mesjetës: nga jugu, kjo mbështetje, në malet shqiptare arrinte deri në Lezhë; nga perëndimi deri në Tivar; nga veriu deri në Janjevë dhe nga lindja deri në Shkup.