Kim Mehmeti KËSHTU ECËN NJERIU Monografi kushtuar akademikut Ali Aliu BOTIMET TOENA Tiranë, 2007 KËSHTU ECËN NJERIU 1 Botues: Fatmir Toçi Redaktor: Faruk Myrtaj Korrektore letrare: Dorina Talo Përkujdesja grafike: Mereme Nelaj Kopertina: Irena Toçi ISBN 978 - 99943 - 1 - 233 - 7 © Autori dhe Shtëpia Botese Toena BOTIMET TOENA Rr. "Muhamet Gjollesha", K.Postare 1420, Tiranë Tel.: (4) 240116; 258893 Tel./Fax: (4) 240117 E-mail:
[email protected];
[email protected];
[email protected] Http://www.toena.com.al 2 KIM MEHMETI BUKURI E BRAKTISUR Ato dhjetëra fshatra të bregut lindor të liqenit të Prespës, sot sikur banohen veç prej heshtjes. Titërima e saj i ka pllakosur si një mbulojë e padukshme, nën të cilën fshihen përplot fate njerëzorë dhe takim-ndarje që kanë mbetur të shënuara në thellësitë e së kaluarës. Ajo heshtje i ngërthen në vete lotët margaritarë të nënave të përmalluara për pjellën e tyre, shtegtuar matanë oqeaneve, por edhe gjithë britmat gazmore të prindërve dalë në oborr tek përqafojnë djemtë që kthehen nga kurbeti. Të bëhet se heshtja, e jo gurët, është ajo që i mban në këmbë ato kulla të vjetra dhe shtëpitë të porsandërtuara buzë liqenit të Prespës. Kjo heshtje molisëse që rri varur mbi fshatrat e kësaj ane të Prespës, në të vërtetë është rrëfimi i trishtueshëm për të parët që banuan këto hapësira, në një si pushim të shkurtër, që pasardhësit e tyre të niseshin më tej dhe gjaku i tyre të degëzohej anembanë botës. Andaj edhe këto fshatra ngjajnë si vendbanime të shtegtarëve të palodhshëm, të atyre që kanë ardhur këtu vetëm përkohësisht dhe sa të bëhen gati të vazhdojnë kërkimin e qetësisë më tej; janë ndalur thuajse vetëm sa të përtërijnë gjakun e fisit që do të duhet pastaj të degëzohet nëpër shtigjet e botës.