Histori E Letërsisë Shqipe Për Shkollat E Mesme
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE nga ROBERT ELSIE Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997) PËRMBAJTJA Parathënie e botimit shqip Parathënie e botimit anglisht 1. Shqiptarët dhe gjuha e tyre 2. Historia e hershme e shqiptarëve 2.1 Nga Iliria deri te Bizanti 2.2 Përmendjet më të hershme për shqiptarët 3. Lindja e letërsisë së shkruar në Shqipëri 3.1 Traditat humaniste të Rilindjes evropiane 3.2 Fillimet e shkrimit shqip 4. Fillimet e letërsisë në Shqipëri. Shekujt XVI e XVII 4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555) 4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592) 4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621) 4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635) 4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685) 4.6 Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë 4.7 Përfundime 5. Shkëlqimi i Orientit. Letërsia myslimane e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX 5.1 Kushtet historike dhe kulturore 5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht. 5.3 Letërsia e bejtexhinjve 5.4 Shkrimtarë minorë të periudhës 5.5 Përfundime 6. Trashëgimia e Bizantit. Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX 6.1 Përçarje në identitetin kulturor 6.2 Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera 6.3 Fjalorë dhe gramatika 6.4 Përfundime 7. Sotto il sereno cielo italiano (Nën qiellin e kthjellët italian). Letërsia arbëreshe në shekujt XVIII e XIX 7.1 Emigrimi shqiptar në Itali 7.2 Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë 7.3 Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë 7.4 Jeronim De Rada dhe letërsia arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë 7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe 7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë 7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht 8. Letërsia myslimane dhe bektashiane 1850-1950 8.1 Arti bektashian 8.2 Rënia e traditës myslimane 9. Periudha e Rilindjes. Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar 9.1 Fillimet e ndërgjegjes kombëtare (1830-1850) 9.2 Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë 9.3 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar të Rilindjes 9.4 Letërsia toske e Jugut të Shqipërisë nën ndikimin kulturor grek 9.5 Shkrimtarët gegë veriorë të Shkodrës 9.6 Përpjekjet për shkollën 9.7 Zbulimi i letërsisë gojore 9.8 Lindja e gazetarisë shqiptare 9.9 Figura minore të letërsisë së Rilindjes 9.10 Përfundime 10. Rrymat e letërsisë shqiptare nga fillimi i shekullit XX deri më 1944 10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë 10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni. 10.3 Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë 10.4 Gjergj Fishta, zëri i kombit 10.5 Migjeni dhe Lasgush Poradeci, lajmëtarët e bashkëkohësisë 10.6 Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët 10.7 Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë 10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944 10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë 11. Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi 11.1 Kushtet politike dhe historike 11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më 1961 11.3 Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara 11.4 Prozatorë të tjerë nga 1961 deri më sot 11.5 Poezia e sotme në Shqipëri 11.6 Dramaturgjia në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot 12. Letërsia shqiptare në Kosovë 12.1 Vendi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi 12.2 Lindja e prozës shqiptare në Kosovë 12.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave 12.4 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare në Kosovë 13. Gjaku ynë i shprishur. Letërsia shqiptare e shekullit XX në Itali e diasporë 13.1 Etapa e pjekurisë për letërsinë dhe studimet arbëreshe 13.2 Letërsia e sotme arbëreshe 13.3 Shkrimtarët shqiptarë në diasporë 14. Kronologji e letërsisë shqiptare 15. Bibliografi Parathënie e botimit shqip Origjinali në gjuhën angleze i kësaj Historie të Letërsisë Shqiptare u shkrua gjatë një periudhe prej pesë vjetësh, nga 1988 deri më 1993, dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pak vonesë më 1995. Vitet e grumbullimit e të studimit të materialit dhe përgatitja e këtij libri përkuan me vitet e kthesës dramatike për popullin shqiptar. Nata e gjatë e diktaturës dhe terrorit komunist në Shqipëri më në fund mbaroi, duke e lënë vendin të rrënuar, kurse njerëzit në dëshpërim e kaos. Populli i Kosovës nga ana e tij, i cili, krahasuar me vetë Shqipërinë, kishte gëzuar njëfarë demokracie dhe lirie individuale gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, e pa vendin e vet të përpirë nga valët e histerisë nacionaliste e të pushtuar ushtarakisht, sikundër të kishte rënë pré e një oreksi të panginjur prej ujku. Asgjë nuk ka mbetur ashtu siç ishte. Kjo Histori e Letërsisë Shqiptare është një përpjekje për të trajtuar zhvillimin historik të letërsisë në gjuhën shqipe nga fillimet deri rreth vitit 1990. Libri u shkrua duke pasur parasysh lexuesin e huaj, me synimin që t'i paraqitej botës së jashtme një kulturë në thelb e panjohur, ndonëse kulturë evropiane. Për këtë arsye, kërkesat për një përkthim shqip të kësaj vepre i pritëm në fillim me njëfarë ngurrimi. Normalisht, nuk i takon një 'vëzhguesi të huaj' të shkruajë një histori të letërsisë shqiptare për vetë shqiptarët, kur studiuesit vendës sigurisht kanë një njohje më të mirë e më të thellë të kulturës së tyre. Por, megjithatë, pranuam të përkthehet në gjuhën shqipe kryesisht për shkak të mungesës së vazhdueshme të çfarëdo historie tjetër letrare gjithëpërfshirëse e ideologjikisht asnjanëse. Nuk mund të pritet tani për tani që studiuesit shqiptarë, të izoluar siç qenë, të varfër siç janë dhe pa mjete moderne në dispozicion (biblioteka të pajisura mirë, qendra studimore, kompjuter e internet), siç do të jenë edhe për një farë kohe, të mundin menjëherë të përmirësojnë gjendjen. Përdorimi edhe më tej i teksteve standarde të së kaluarës me një vështrim të njëanshëm e konformist, e në thelb të shtrembëruara e të censuruara nga ekstremistë politikë, vetëm se do të pengojë përparimin kulturor e intelektual të shqiptarëve. Besojmë se lexuesi shqiptar do të na falë ndonjë karakteristikë a gjurmë 'të huaj' që mund të gjejë në këtë punim, p.sh. një prirje të lehtë për të anuar nga burimet e jashtme e jo nga ato në gjuhën shqipe, digresione dhe shpjegime që mund të jenë të tepërta për të, dhe ndonjë rast mungese etike ndaj gjërash që në Ballkan mbahen të shenjta. Në krahasim me variantin në gjuhën angleze, janë bërë ndryshime dhe përmirësime të vogla, kurse disa pjesë të origjinalit janë lënë jashtë. Bibliografia është përditësuar disi, por nuk është bërë ndonjë orvatje serioze për të përfshirë në tekstin e librit zhvillime më të reja të letërsisë shqiptare, domethënë ato rreth vitit 1990 e këndej. Për sa i përket letërsisë së sotme dhe autorëve bashkëkohorë të përmendur në krerët e fundit të këtij libri, vlen të theksohet se ata janë vetëm disa prej shkrimtarëve të shumtë që kanë dalë në Shqipëri, në Kosovë dhe në vise të tjera shqipfolëse dhe që mund të kishim paraqitur. Nuk ka ardhur ende koha për një radhitje përfundimtare sipas parimesh krejtësisht estetike. Siç e kam theksuar përpara, është lexuesi vetë që do të japë gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat. Kështu, do të kërkoja prej tij që t'i lexojë krerët e kësaj vepre si një prezantim të mundshëm dhe jo si një botim zyrtar. Kjo kërkesë nga ana ime vlen në fakt për gjithë librin. Një histori letërsie nuk është dhe nuk mund të jetë unike, si të thuash e shkruar një herë dhe e dhënë përgjithmonë. Mendoj, se aty ka hapësirë për prezantime nga më të ndryshmet, me të cilat kuptohen mendime e trajtime të saj. Autori dëshiron të falënderojë edhe një herë shumë miq e kolegë për ndihmën dhe inkurajimin e tyre. Ndër ta në radhë të parë janë: Abdurrahim Myftiu për punën aq të mundimshme të përkthimit të një vepre kaq të gjatë e të imtë në një shqipe të rrjedhshme e të saktë; Maks Gjinaj, bibliograf i cilësuar në Bibliotekën Kombëtare, që ma ka lehtësuar shumë punën për njohjen dhe konsultimin e veprave e të studimeve për letërsinë shqiptare; dhe Emil Lafe në Akademinë e Shkencave për redaktimin e kujdesshëm letrar si edhe për një varg saktësimesh e sugjerimesh të vlefshme. Një falënderim i veçantë i drejtohet Shoqatës Gjermane për Bashkëpunimin Teknik (Deutsche Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit), agjensi e qeverisë gjermane, për mbështetjen bujare financiare që bëri të mundur botimin shqip të kësaj vepre. Robert Elsie Pranverë 1997 Parathënie e botimit anglisht Prej kohësh është ndier nevoja e ngutshme për një vështrim të plotë të letërsisë shqiptare, për të cilën brenda vendit nuk ka ende një përfytyrim të qartë, kurse jashtë tij ajo ka mbetur në thelb e panjohur. Në të vërtetë as edhe një letërsi kombëtare tjetër në Evropë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së publikut të botës perëndimore aq shumë sa letërsia shqiptare. Në këtë aspekt, ky punim rreket të mbushë këtë mungesë duke dhënë një vështrim historik tërësor të krijimtarisë së shkruar në gjuhën shqipe që nga fillimet e deri në ditët tona. Letërsia shqiptare ka pasqyruar fatin e popullit shqiptar nëpër shekuj, fatin e një vendi të vogël në një rajon të Evropës, i cili për arsye politike, historike, ekonomike dhe gjeografike ka mbetur më i pazhvilluari në këtë kontinent.