Revolta E Të Burgosurve - Pjesë Nga Libri “Rrugët E Ferrit” I Shkrimtarit Visar Zhiti
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
ALBANIA NEWS Quotidiano online in lingua Italiana http://www.albanianews.it Revolta e të burgosurve - Pjesë nga libri “Rrugët e Ferrit” i shkrimtarit Visar Zhiti Author: Visar Zhiti Category: Kulturë Date: 13 giugno 2009 Më 22 maj të vitit 1984 të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Veç të ridënuarit dhe të pushkatuarit ishin té tjerë, gjithmonë té rinj.. Rrugët e ferrit, kopertina Dy revolta, të vetmet në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, që i bëjnë nder vendit, kujtesës historike, njohjes së rrënjëve të demokracisë, që treguan se shqiptarët iu kundërvunë së keqes në kulmin e saj, pse jo, dhe me një ëndërr europiane. Në kujtim të saj, si një përvojë sa tragjike, po aq dhe e madhërishme, si një mësim i lartë morali, 1 / 19 ALBANIA NEWS Quotidiano online in lingua Italiana http://www.albanianews.it emblemë e kundërshtisë kolektive, po japim pjesë nga vepra “Ferri i çarë”, ku shkrimtari Visar Zhiti, i burgosur politik në Qafë-Bari në atë kohë, përshkruan si një dëshmitar revoltën, tmerrin, dhunën dhe absurdin makabër të saj.DITA E SHPËRTHIMIT …filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? - po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr. Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën. Po pse? S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lame kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé.” “Jo, - bërtiste policia, - duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë!” “S’kemi pse kthehemi, - këmbëngulnin të burgosurit. - Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim.” “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën.” “Në darkë prapë.” “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë.” “Po i kujt, yni?” - bërtisnin policët. “Po i kujt? Juaji!” - ia kthenin të burgosurit. Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka. Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart… Bamb një hekur - kumboi kafka? - me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, - mërmëriti dikush pranë meje. - Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka… Mbështeta bërrylat mbi siprinën e pistë të tryezës së gjatë, ende e pafshirë, thërrime buke të ndërresës së parë, lëngje të derdhura, copa kocke. Edhe tryezat e tjera po ashtu. Miza të mëdha, të zeza endeshin me zukatje aspak bezdisëse. Përkundrazi, na nanurisnin vëmendjen nga ajo që do të ndodhte e s’dihej ç’ishte. Mjafton që jemi bashkë, të gjithë. U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të 2 / 19 ALBANIA NEWS Quotidiano online in lingua Italiana http://www.albanianews.it tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata… Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse. “Ce s’e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa.” “Pisat e sat ëme”, - mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste. “Ce, ë?” - pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale me dialekt Jugu e Veriu. U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofullshtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, - iu hakërrua polici. - Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës.” “Në çfarë?” - pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj. Në krim, - bërtiti oficeri i rojës. - Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku?” Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni!” Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh. Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme. U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp? - thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan. Dera qe bllokuar nga të burgosur. Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, - u ndie një çjerrje, - ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi. 3 / 19 ALBANIA NEWS Quotidiano online in lingua Italiana http://www.albanianews.it Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin. Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin. Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos!” Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën. Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. Shqyjeni derën, shtyhuni, palli një zë. Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur.