Kryeipeshkvia Metropolitane E Shkodrës Dhe Dioqezat Sufragane ( Shënime Historike ) Gjithsejt: 68 Faqe Shkodër, 1957-1958
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Gjush Sheldija (1902 - 1976) Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe Dioqezat Sufragane ( shënime historike ) Gjithsejt: 68 faqe Shkodër, 1957-1958 Përmbajtja: - Parathania nga Imz. Ernest M. Çoba Ipeshkëv, Ordinar i Arkidioqezat të Shkodrës. - Përmbledhje e historisë së Shkodrës gjatë shekujve. Kronologjia e ngjarjeve që nga 360 para Krishtit deri më sot. - Përshkrimi i qytetit. - Randësia dhe ndryshimet historike të Kishës së Shkodrës. - Themelimi dhe përshkrimi i Kishës Katedrale. - Ngjarjet ma të randësishme rreth Kishës Katedrale. - Vargu i ipeshkvijve dhe arqipeshkvijve metropolitë të Arkidioqezat të Shkodrës. - Shënime historike rreth dioqezeve sufragane me vargun e ipeshkvijve. - Shtojcë --- Biografi e autorit Kolec Çefa H Y M J E Botimi i kësaj vepre ka qenë një dëshirë e largët, pothuej e harrueme. U njoha me këte daktiloshkrim në dhomën e Pader Marin Sirdanit, të cilin e shifshe tue e lexue e tue ba shënimet e veta. Një ditë, si e pashë të përqendruem mbi këtë daktiloshkrim, i thashë: "Pader, a mendon se do të botohet kjo vepër?" Ai, me buzë në gaz, m'u përgjegj: " Do të vijë dita e do ta botosh ti". Për vete ishte i sigurtë se nuk do ta shifte shembjën e komunizmit, për mue ishte i bindun. Disa vjetë ma vonë, u njoha me daktiloshkrimin në shtëpinë e autorit dhe aty dallova shënimet e Mons. Çobës, me atë shkrimin e tij karakteristik dhe ato të Pader Marinit, me atë shkrimin e tij të avashtë e të kujdesshëm. Kur u interesova ma vonë, daktiloshkrimi kishte "humbë" ndër arkiva, atëherë tabu për mue. Kjo vepër monografike ka karakter divulgativ, por përmban material të pasun e të larmishëm, nxjerrë prej burimesh historike kishtare, të pashfrytëzueme prej historianëve të diktaturës, si edhe prej burimesh laike, të cilat përbajnë një sine qua non për historinë tonë kombëtare. Autorë të përmendun të historisë kishtare, si: Farlati, Zeiller, Baroni,, P.Allard, Bolandistat, L. De Tillemont e deri te Cordignano e Valentini; historianë e medievistë, si: Taloczy, Shuflai, Jireçek, Mommsen, K.Paç; udhëpërshkrues e të huej që kanë njohtë e punue në vendin tonë, si: Ippen, Hecquard, Pouqueville e mandej autorë tanë shqiptarë, ma të vjetër e ma të rij; janë shfrytëzue shënime e ditare të famullisë, regjistra të vjetër kishtarë dhe asht pasunue me të dhana të mbledhuna nga tradita gojore e materiale të gjetuna në familjet shkodrane parë me sy që dinë të shohin e ndigjue me 1 veshë që dinë të ndigjojnë. Lexuesi ka për t'u njohtë me ngjarje nga historia e Kryeipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës dhe me dioqezet sufragane që në zanafillë e sidomos në ditët e vona; me prelatët e Kishës e me ndihmesat e tyne kishtare e shoqnore; me pamje e ngjarje të qytetit tonë, pajisë me kronologji historike; me të dhana nga lëvizja artistike e kulturore e me përpjekjet për arsim e qytetnim. Në monografi ka njoftime për punime artistike, tashma të zhdukuna nga diktatura, me dhunimin e Katedrales tue e kthye në pallat sporti. Duhet ta ilustroj me nonjë shembull: lexoni punën e madhe që kan ba piktorët e skulptorët Kolë e Arsen Idromeni, për të cilat nuk flasin biografët e Kolë Idromenos, skulpturat e Fratel Salës, zanafillen e veprimtarinë e bandave etj. etj. Materialet e shumta, herë-herë tue u hapë e kapërcye qellimin e veprës e dobësojnë kompozicionin e saj. Gjuha gegnishte e veprës, sado që asht zbutë e afrue me të sotmën që të bahet ma e lehtë e ma e kuptueshme, prapëseprapë ka edhe ndonjë inkonveniencë, për të cilën kerkojmë të falun, por asht punue me një fotokopjim të paqartë, madje, ndoshta, të daktiloshkrimit jo përfundimtar e jo të përgatitun për botim. Materiali i dhanë në vepër mund të ketë edhe mangësi e pasaktësi, prapëseprapë po ia dhurojmë lexuesit tanë, sepse asht një kontribut për njohjen e vendit tonë. Imz. Ernest M. Çoba, Ipeshkëv, Ordinar i Arkidioqezës së Shkodrës. P A R A T H A N I E Kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës populli, me të drejtë, e quen Kisha e Madhe, pse asht Kisha ma e madhe në Ballkan. Me entuziazem Parvet Opus për përfundimin e lterit të ri artistik, i cili po shugurohet shi sot në kishë, me rastin e 100-vjetorit të Bekimit të Gurit të parë prej shkruesit të Kryesisë, në sa Gjon Shllaku e Martin Trushi po kryejnë së kopjuemit punimin që studiuesi i vendit tonë, Gjush Sheldija, pat mirësinë me ia dhurue Klerit katolik shqiptar me rastin e këtyne kremtimeve. Shkrimtari i zellshëm veprën e paraqiti me titullin e kauzalitetit të qindvjetorit të Katedrales, me thanë të vërtetën vepra asht shumë e hapët e po përfshinë një pjesë mjaft të gjanë të historisë së Kishës dhe të qytetit të Shkodrës që në kohët e vjetra, tue bamë një përmbledhje të veprimtarisë së gjithë dioqezave sufragane të Shkodrës dhe një kronologji në bazë të ngjarjeve ma të randësishme të historisë së Kishës sonë. Por, sikurse në çdo vepër tjeter njerëzore, në mes të shkëlqimit dallohen edhe të metat, lusim të ndershmin lexues të ketë mirësinë me na sjellë shënimet e kritikat e veta, me qëllim që vepra të dali sa ma e vertetueme, për të kenë vertetë një kontribut për historinë, sidomos kishtare të vendit tonë. Ky asht dishiri i autorit e njajzi i të nënshkruemit që pat nderin të bashkëpunojë me të vlertin autor në rreshtimin e kësaj vepre. Qytet, 19.IV.1958 H I S T O R I A E S H K O D R Ë S Paraqitja: Atij që vjen nga ura e Drinit, Shkodra i paraqitet si e mbyllun prej një perdeje 2 të madhnueshme e njiherit të frikësueshme: nga e majta zbret kah qyteti vargu i gjatë që, tue u nisë prej Rumie, mbaron me Taraboshin, buzë Bunës. Prej së djathti, ma larg, mali piktoresk i Sheldisë i kunoruem me do dardha të mëdha të vetmueme. Barleti e quejti Mali Sardonik për shkak të qytetit meskohuer të Sardës që ka në rranxën tjetër kah lindja; ky prej malit të Shën Markut nga Veri e prej Jugut me kalanë e Dejës. Mes Taraboshit dhe malit të Sheldisë shtrihet një varg kodrash gurakeqe; ma e nalta që duket se zatetë në ballë për t´i pre udhën shtegtarit me atë profil të vetin të këputun e të kunoruem e me atë brijë thik, asht Rozafa. Në kohë të vjetër e të mesme qyteti shtrihej rranxë kodre, i ruejtun prej kështjellës që i çelë dyert e bahej strehë në rasë lufte. Kohën e Venedikut prej luftimevet të padame dhe kërcenimesh, banesat mbetën shkret dhe bile u rrafshuen fare për t´i dhanë mundësi mbrojtësve për të pengue sa ma shumë sulmuesit anmiq. Lulëzoi mandej rishtas qyteti në pagjë për dyqind vjet, mes fiqve dhe shegave që blerojnë në rranxa, derisa në shek. XVIII malarja nisi me e shkretue tue e shty popullsinë kah veriu. Shkodra e sotme në fushë të hapët, asht e re mjaft për kah mosha, por e moçme për kah stili. Secila shtëpi ka oborrin me lule të ndryshme dhe kopshtin me pemë e barishte gjithfarësh. Për shtëpiat do të flasim në një kapitull të veçantë. Shkodra (Scodra në transkriptimin latin) qe së pari qytet i ilirëvet Labeatë prej të cilëve mori emnin edhe Liqeni: Palus Labeatis, ma vonë kryeqytet i mbretenvet ilirë që, si thuhet, e shtrinë sundimin që prej Friulit deri n'Ambrakje në kufi të Greqisë. Me rrugë të hapun kah deti, n´ato kohë të lashta, i a shtini tmerrin Adriatikut mbarë ku shtynte anijet liburnike të vetat. Kështu, pak a shumë, vazhdoi deri në shek. II para Krishtit e, kur u kthye Genci, u quejt "oppidum civium romanorum" nder dokumenta romakë dhe ka gjasë, sepse, siç u vertetue ma vonë, ilirët mbërrijtën me hypë nder zyre të nalta romake dhe deri me u ba perandorë, si p.sh. Probi, Valentiniani, Diokleciani etj., etj. Rrebeshi sllav i kohës së mesme e bani "xhevahir i kunorës së Rashës" e për një kohë prove, të princit trashigimtar të Derës së Nemanjes, i cili banonte pak larg qytetit, n´at vend që Venedikasit vijuen tue e quejtë "La corte de lo imperator"; kjo krahinë, ndoshta, në kuptim të atyne princavet që bajshin titullin e vjetër ilirian "Jupan" ase "Zhupan", toponimet e të cilëve i ruen sot Jubani dhe Zhubi. Si ra poshtë dera e Nemanjëve në shek. XIV, trashigimin i a muer në mbarë Zeten me kryeqytet për do kohë Shkodrën, dera e Balshajvet, që shtrini zotimin deri në Vlonë. Vjetin 1396 ia shiti Venedikut bashkë me Drisht e me Dejën e vazhdoi me kërkue kthimin, derisa në vitin 1420 mbylli sytë ma i mbrami pinjuell i familjes. Venediku ia besoi sundimin nji proveditori në rasë lufte dhe rektori në kohë paqeje. Administrata civile, gjyqi i paqit, gjyqi civil e penal i mbështeteshin këshillit populluer (Senati) vendas simbas zakoneve të vendit. Mbasi ra në dorë të Turkut, më 1479 populli mori arratinë dhe një pjesë mergimin; mirëpo qysh në fillim të shek. XVII populli i malevet filloi me iu afrue qytetit dhe xunë vend në Kazenë; një pjesë pa ndërrue fe, muer sherbim në roje të kështjellës. Mandej afer 1700, tue marrë mbrapa viçekonsullin venedikas Duoda (shqiptar me fis i kthyem n´atdhe të vjetër) nisi qyteti i ri kah veri, nder lagjet Tophanë, Parrucë, Perash, Gjuhadol e Rëmaj. Në vjetin 1392 u dukën afer Shkodrës turqit dhe me 1396 Shkodra hyni nën sundimin e Venedikut dhe tre vjet mbrapa d.m.th. me 1399 plasi një kryengritje e madhe kundra Venedikut që pati si përfundim fitimin e disa të drejtavet, mbasi gjyqi i paqit, gjyqi civil 3 dhe penal, administrata bashkiake ishin në dorë të këshillit populluer (Senatit) dhe të gjyqtarëve vendas simbas zakoneve të vendit; në këtë këshillë merrshin pjesë pesë vetë nga vegjelia dhe pesë nga parësia.