E Përkohshme Kulturore-Artistike
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Bashkia Shkodër Biblioteka “Marin Barleti” Gegnia e përkohshme kulturore-artistike 2 - 2016 Vjeti I i botimit, Shkodër Gegnia E përkohshme kulturore-artistike 2 -2016 Vjeti I i botimit, Shkodër Redaksia: Gjovalin Çuni, Arben Prendi, Lisandri Kola Botohet nën kujdesin e bashkisë Shkodër dhe bibliotekës “Marin Barleti” Adresa e redaksisë: Biblioteka “Marin Barleti”, Shkodër E-mail: [email protected] [email protected] Shënim: Pikëpamjet e artikullshkruesave nuk shprehin detyrimisht qëndrimin e redaksisë. Përmbajtja e lëndës 3 ▪ editorial ▪ albanoloigji Kastriot MARKU Injac Zamputti - themeluesi i diplomatikës dhe i shkollës historiografike shqiptare 5 ▪ kritikë & studime letrare Gëzim PUKA “Valë mbi valë” e Atë A. Harapit – kur arti i fjalës është më i vërtetë se ngjarjet referenciale 8 Hans-Joachim LANKSCH Gjuha dhe poetika e Martin Camajt x Aristea KOLA Korpusi i soneteve të Arshi Pipës x Çezarin TOMA Giuseppe Schirò e Luigi Pirandello: un’amicizia fraterna x Xhahid BUSHATI Refleksione rreth krijimtarisë së shkrimtarit Teufik Gjyli në gjininë e përrallës x ▪ dossier / Gasper Pali Lisandri KOLA Gasper Pali, antipodi i vëllazënve x Vjollca OSJA “Prendimi i andrrimeve”, Gasper Pali x Italia KOKA (MENCACCI): Ju rrëfej Gasper Palin x Gasper PALI Poezi 14 ▪ letërsi / poetë bashkëkohorë Martin CAMAJ x Zef ZORBA x Frederik RRESHPJA x Primo SHLLAKU x Ridvan DIBRA x Gazmend KRASNIQI x Luljeta LLESHANAKU x Arben PRENDI x Entela TABAKU SӦRMAN x Ledia DUSHI x ▪ histori Gjovalin ÇUNI Kontribut për datën e saktë të themelimit të bibliotekës kombëtare... x 4 Gegnia / e përkohshme kulturore-artistike Nush GURAKUQI Mbi krijimin e Bibliotekës Shtetnore x Helidon SOKOLI Mozaiku i shek. III-IV, zbuluar në Shkodër dhe ekspozimi i tij x ▪ letërkëmbim Nexhmi Bushati Prej letërkëmbimit të Hamdi Bushatit me Kristo Frashërin x Nikoll Gazulli Prej letërkëmbimit të dom Nikoll Gazulli me prof. Norbert Joklin x ▪ ese & memoaristikë Arshi PIPA Si vdiq Vinçenc Prendushi x Giorgio AGAMBEN Mbi vështirësitë e leximit x Entela TABAKU SӦRMAN Përsiatjet e një poeteje mbi konstruktin e munguar në shqipen standard x ▪ recension Arben PRENDI “Premtimi i përmbushun” me autor Gjon Sinishtën, pasqyrë e kalvarit të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste x ▪ promemorie Ortografija e gjuhës shqipe x ▪ editorial 5 Ta mbajmë të gjallë kujtesën tonë kulturore Të gjithë e kena për detyrë me e lartësue Shkodrën tonë përpara vetes së saj, përpara së kaluemes dhe pse jo edhe përpara botës. Nëse jetojmë në një realitet të vështirë shpesh herë edhe paradoksal shkaktue prej rrethanave të ndryshme, e vetmja mënyrë me e ngritë Shkodrën ashtë të mendojmë dhe t’i shërbejmë fisnikisht asaj. E ardhmja e saj ashtë në duert e njerëzve vullnetmirë që dëshirojnë të bajnë diçka me jetën e tyne. Nuk mjafton me qenë i lindun në Shkodër me u quejtë shkodranë, nuk mjafton tash me “rrahë gjoksin” me atë çka asht ba në të kaluemen, pa i dhanë asgja as të kaluemes as të tashmes. Na ka pëlqye shpesh me thanë se Shkodra ka qenë dhe ashtë “djepi i kulturës”. E gjitha kjo i detyrohet energjisë me të cilat breznitë që kaluen dhe fatkeqsisht po kalojnë, i dhanë asaj, por, në ditët tona gjithnjë e ma tepër po rrezikohen të humbasin apo të bastardohen vlerat e bazueme në “qytetnimin e punës”, vlera të krijueme në shekuj nga shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, kangëtarë, kompozitorë, gazetarë e sa e sa të tjerë. Humbja e këtyne vlerave do të bante që Shkodra të mbetej një trup pa shpirt, pa kokë. Në një qytet me traditë kulturore dhe histori të lashtë ekziston mundësia e hulumtimit dhe rifunksionalizimit të saj, shenjë qytetnimi e integrimi në jetën bashkëkohore. Ashtë gja e bukur dhe e vlefshme të nxirren vlerat e vërteta në dritë, të nxirren të fshehtat e sa e sa breznive të kalueme si dhe të atyne që kanë mbetë prej breznive. Çdo punim sado i parëndësishëm në vetvete, në dobi të kujtesës kulturore, meriton të merrret në konsideratë dhe t’i nënshtrohet një studimi të kujdesshëm. Në ditët e sotme, në një botë komplekse, ku edhe kultura asht e infektueme prej etheve të fitimit, janë shtue shumë botimet e gjinive të ndryshme, të firmave të reja që po përpiqen të shtojnë pasuritë kulturore të qytetit, por në të njajtën kohë vërehet edhe fenomeni i harresës jo vetëm i autorëve të traditës, por edhe i autorëve që në heshtje punuen dhe punojnë, mbasi të shuem apo të shtymë në moshë, përgjithësisht e kanë krye veprën e tyre “diturake”, pa pasë mundësi që punimet e tyre të njihen mirë. Punimet e tyne, së bashku me ato të autorëve të traditës, formojnë kujtesën kulturore e cila nuk ka me funksionue normalisht pa këtë njohje. Ku ndodhet dhe çka duhet me ba me ringjallë kujtesën kulturore të kombit? 6 Gegnia / e përkohshme kulturore-artistike Fushat e veprimit janë të shumta, por po veçojmë disa syresh: Ribotimi i librave të traditës që dikur janë botue në kopje të pakta, por sot mungojnë në qarkullim, libra që gjenden në bibliotekat e qytetit tonë, të qyteteve të tjera, pse jo dhe jashtë shtetit. Padyshim ribotimi i këtyre librave duhet t’i nënshtrohet një pune të specializueme. Theksojmë se duhen ba edhe botime ekonomike në atë mënyrë që secili të mundet me i ba ato pjesë të bibliotekës personale. Shtëpitë botuese duhet me pasë parasysh edhe një publik që nuk asht në gjendje me ble botime luksoze, e për ironi ky asht publiku masiv por edhe ai i specializuem. Botimi në formën e veprave të plota apo dhe përshtatja në antologji e veprave të autorve të traditës të shpërndame në fletoret e ndryshme të kohës, për të cilat deri më tash nuk ka fare ose ka shumë pak përkujdesje. I një randësie të veçantë ashtë edhe “gjurmimi” i të ashtuquejtunve “shkrimtarë pa vepra”, që, ndonëse pa libra të mirëfilltë, kanë dhanë një kontribut mjaft të çmueshëm në kulturën tonë qytetare dhe kombëtare. Nuk duhet lanë mbas dore asgja, as botimet e letërkëmbimeve, ditareve, shënimeve personale e të tjera, që gjithnjë paraqesin interes për lexuesit sepse ndërtojnë kujtesën kulturore të kombit. Punë me vlerë ashtë edhe botimi i veprave që ende flenë nëpër sirtare. Gjatë viteve të diktaturës mendjet e kthjellta, të talentueme dhe të apasionueme të qytetit kanë prodhue “gjamat e dëshpërimit”, që ende mbesin të tilla për sa kohë që këta autorë nuk i kanë mundësitë financiare me jetue e jo ma me shpenzue për botimin e veprave të tyne. E keqja ashtë se shumë prej këtyne autorve po shuhen ngadalë në qetësinë dhe thjeshtësinë e intelektualëve pa e mbërritë ditën e botimit të veprës për të cilën kanë shkri tanë jetën, pa kërkue asnji shpërblim. Kur vepra e tyne asht cilësore ajo përban vlerë kombëtare e duhet të merret në mbrojtje, qoftë edhe tue e botue. Faqet e revistës “Gegnia” janë të hapuna për botime të pjesshme të këtyne veprave. Lind pyetja sa punime janë? Flitet se janë shumë, por askush nuk e di saktësisht, e kjo edhe për shkak të mungesës së inventarizimit të trashigimisë kulturore, proces i vështirë me u realizue mbasi një pjesë e kësaj pasurie ndodhet e shpërndame nëpër trashëgimtarët e familjeve shkodrane, apo nëpër qoshe të arkivave të shtetit krejt jashtë vëmendjes, të harrueme. Pjesa që trajtuem ka të bajnë me kulturën shpirtnore, por tepër e randsishme ashtë edhe trashëgimia e kulturës materiale. Si gjithmonë, nuk mjaftojnë as nuk mungojnë idetë, ato duhen materializue dhe për ▪ editorial 7 këtë duhen fonde, të cilat në kohë mund të jenë të rikthyeshme, tue pasë parasysh etjen dhe kureshtjen e publikut për vlerat e sipërmenduna. U mbetet detyrë jo vetëm institucioneve shtetnore, por edhe atyne private, veçanërisht, shtëpive botuese, shoqatave e fondacioneve, bizneseve që veprojnë në qytet, por edhe jashtë, të ndihmojnë në publikimin e punëve me vlerë që ende nuk e kanë pa dritën e botimit. Të mos harrojmë se “mecenët” (mbrojtësit dhe përkrahësit e kulturës) kanë lindë dhe kanë punue për lavdinë e qyteteve të tyne, qysh në kohën e Romës së Vjetër. Të mos harrojmë, sa qytetnime do të ishin zhdukë në qoftë se nuk do të kishin lanë mbas dëshmitë e shkrueme të kujtesës së tyne kulturore e kjo mund të ndodhin edhe tek ne. Redaksia 8 Gegnia / e përkohshme kulturore-artistike Kastriot MARKU INJAC ZAMPUTTI - THEMUESI I DIPLOMATIKËS DHE I SHKOLLËS HISTORIOGRAFIKE SHQIPTARE Historiani dhe studiuesi i shquar Injac Zamputti,1 lindi në Shkodër më 12 shkurt të vitit 1910. Gjyshi i Injaci Zamputtit quhej Giuseppe Zamputti. Ai ishte mjek në profesion dhe iku nga Italia në vitin 1870 (mbas humbjes së shtetit të Papës në Porta Pia). Fillimisht u vendos si mjek bashkie në Kavajë, ku edhe u martua me Luigjian, nga familja e njohur raguziane Raçiç. Më pas u transferua në Durrës dhe vitet e fundit u vendos në Shkodër, ku edhe vdiq në vitin 1900. I ati i Injacit Romolo, ka lindur në Durrës në vitin 1876. Punoi si nëpunës poste pranë Konsullatës Italiane në Shkodër. Më pas u martua me Nine Temalin, e vejë me një vajzë, Injac Zamputi familja e së cilës kishte zbritur nga malet (nga Temali i Malësisë së Dukagjinit). Nga martesa e tyre patën tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë (Injaci), i cili ishte i fundit në radhë. Romolo vdiq në mënyrë aksidentale në vitin 1911 duke e lënë Injacin jetim në moshën 1 vjeçare, së bashku me tre motrat. E ëma, Nine, i rriti fëmijët me shumë mundime. Injaci fillimisht studioi në Kolegjën Saveriane të Etërve Jezuitë në Shkodër, ku edhe dallua për rezultate shumë të mira në mësime dhe mbi të gjitha për një sjellje shumë korrekte. Etërit jezuitë të mbërritur në Shkodër në prillin e vitit 1841 kishin krijuar një qendër të rëndësishme, arsimore, kulturore, artistike dhe shkencore duke filluar me ngritjen në 1 Mbiemri i saktë i Injac Zamputtit-t në të gjithë regjistrat e gjendjes civile shkruhet me dy t: Zamputti, por që nga Injaci dhe familjarët e tij u përdor me një –t, gjatë viteve të diktaturës, për arsye të kuptueshme si një mënyrë “për të hequr dorë” nga origjina e tij italiane, e cila nga regjimi i asaj kohe shihej me dyshim.