Këngë Të Kreshnikëve
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
KËNGË TË KRESHNIKËVE BIBLIOTEKA LEKTYRË SHKOLLORE Redaktor Dr. Xhevat Syla KËNGË TË KRESHNIKËVE Antologji Përgatiti Dr. ZYMER NEZIRI SHTËPIA BOTUESE LIBRI SHKOLLOR Prishtinë, 2009 Ballina Bajram Bardhi, pik. akademik PARATHËNIE Ky vëllim këngësh të kreshnikëve është zgjedhje e disa krijimeve më të bukura të këtij lloji të epikës sonë legjendare. Këto tridhjetë këngë të kreshnikëve dhe motërzime, që janë të njohura edhe me emrin Cikli i Mujit e i Halilit, kanë afër tetë mijë vargje dhe përfaqësojnë fondin tonë shumë të pasur me rreth gjysmë milioni vargje të këngëve e të motërzimeve të këtij cikli. Qëllimi i botuesit, Librit Shkollor, është që nxënësit e shkollave tona të mesme t`i lexojmë më lehtë dhe t`i shijojnë më mirë vlerat e larta artistike të këtyre këngëve të epikës sonë heroike, të cilat janë ndër dëshmitë më të përsosura të krijimtarisë sonë popullore që nga lashtësia e deri më sot. Kjo është hera e parë kur në një vëllim të veçantë të lektyrës shkollore përfshihen vetëm këngë të këtij lloji të epikës legjendare. Parimi kryesor për përgatitjen e këtij vëllimi ishte parimi i shtrirjes gjeografike të këngëve të ciklit të Mujit e të Halilit ndër ne. Krahas këtij parimi, është përfillur edhe ai i pasqyrimit të vlerave më të mira artistike dhe është zbatuar gati në të gjitha rastet, përveç atëherë kur binte ndesh me parimin e parë. Njëkohësisht është zbatuar edhe parimi i vazhdimësisë historike të përpjekjeve, ndonëse të vonuara, për botimin e këtyre këngëve, që nga Gustav Majeri (1897) e Gaspër Jakova- Merturi (1904) e deri më tash. Krahas parimeve të përmendura dhe elementeve të lashta në këto këngë, këtu janë të pranishme edhe motivet kryesore të këtij cikli: fuqia fizike e kreshnikut dhe zanat, martesat me pengesa, mbrojtja e nderit të familjes, mbrojtja e nderit të krahinës etj. Të gjitha këngët e këtij vëllimi botohen sipas origjinalit. Ato njëkohësisht simbolizojnë tridhjetë kreshnikë ose tridhjetë agë, që kanë fuqi të mbinatyrshme dhe trup jashtëzakonisht të madh, që bëjnë jetë të zakonshme në familje dhe që luftojnë guximshëm me kundërshtarët shkje, të cilët po ashtu janë të fuqishëm, por edhe trima dhe njëkohësisht të pabesë. Edhe lahutarët apo këngëtarët e këtyre këngëve janë tridhjetë, ndonëse emrat e disave nuk janë shënuar nga botuesit e tyre. Ata përfaqësojnë: Krajën, që është afër Liqenit të Shkodrës, Malësinë e Madhe (Hot, Grudë, Kelmend, Kastrat e Shkrel), Shalën, Shoshin, Nikajt, Mërturin, Bregun e Matës, Pukën, Malësinë e Vogël ose Malësinë e Gjakovës (Krasniqe, Gash e Bytyç) etj., si dhe Plavën e Gucinë, Rugovën, Rrafshin e Dukagjinit (ana e Pejës, Ndërguri, Lugjet, Reka dhe Drinia), Llapushën, Drenicën, Shalën e Bajgorës, Rrafshin e Kosovës, Llapin, Gallapin, Kërçovën. Disa prej tyre janë shumë të njohur: Dodë Nikollë Loshi i Kelmendit, Halim Dauti i Shalës së Bajgorës, Haxhi Meta-Nilaj i Rugovës, Mirash Gjoni i Nikajve, Nue Lulashi i Bregut të Matës, Osman Arifi i Gashit, Palok Ujka i Kastratit, Sokol Martini i Mërturit, Shaban Groshi i Rugovës etj. Këtu kanë mbetur pa u përfshirë edhe shumë lahutarë të tjerë, për shkak të hapësirës së kufizuar. Përveç mendimeve të zgjedhura për këngët e kreshnikëve, edhe fjalorthi i fjalëve të rralla dhe i fjalëve të huaja, në fund të këtij vëllimi, është hartuar me qëllim që të përjetohet më lehtë bukuria dhe fuqia e këtyre krijimeve jashtëzakonisht të rëndësishme të krijimtarisë sonë popullore, e që janë vetëm një pjesë fare e vogël e eposit tonë të madh heroik, njërit ndër më të mëdhenjtë, i cili është edhe ndër të fundit në Evropë që ende bën jetë aktive dhe është visar i gjallë kombëtar dhe ndërkombëtar i kulturës sonë të lashtë. Prishtinë, më 1 dhjetor 1999 Z. Neziri HYRJE Këngët e kreshnikëve kanë një jehonë të thellë në botën shpirtërore dhe artistike të malësorëve. Këto këngë lindën dhe jetuan te ne në ambientin epik të malësisë, që kish të gjitha premisat për lavrimin e një tradite të tillë. Ato nuk u përhapën ndër qytete, nuk u kënduan nëpër oborre feudalësh, sikurse ndodhi me këngët epike legjendare të ndonjë populli tjetër. Këngëtarët e këtyre këngëve a lahutarët, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bartjen e rapsodive nga një brez në tjetrin, te ne janë njerëz të thjeshtë që gjenden në çdo fis, lagje a fshat të malësisë. Ata nuk janë profesionistë, nuk e ushtrojnë mjeshtërinë e tyre nën stimule materiale, por këndojnë kur t’u jepet rasti në familje a ndër miq, në fis të tyre a ndër fise të tjera, ku shkojnë për festa të ndryshme familjare e popullore. Po edhe gratë, edhe pse s’kanë pasur zakon të dalin përpara popullit me lahutë, me përjashtim të virgjënave, të vajzave që s’martoheshin dhe visheshin si burra, dijnë përmendësh me qindra dhe mijëra vargje nga këto këngë, madje ka asosh që i bien edhe lahutës. Meloditë e këngëve të kreshnikëve janë të thjeshta, me një shtrirje vokale të kufizuar, që nuk kalon zakonisht kuintin. Kjo vijë melodike me të cilën shoqërohen këto këngë, duke mos pasur zbukurime të ndieshme, ka më tepër karakter recitativo-melodik, me të cilin rapsoditë të kujtojnë aedët e vjetërsisë, të cilët kalonin prej një vendi në tjetrin, duke lartësuar gjestet e trimave. Këngëtarët i interpretojnë këngët e kreshnikëve me një zë të fortë gjoksi dhe me një ton burrëror, që shkon në harmoni me vijën epike të ngjarjeve. Figura e Mujit është një figurë tipike edhe përsa i përket përzjerjes së elementeve mbinjerëzore me ato njerëzore. Muji kreshnik jeton edhe vepron midis ambientit të tij shoqëror. Ai ushtron pushtetin e një kryefamiljari në një familje patriarkale. Si vëlla i madh kujdeset për çdo gjë që ka lidhje me mbarëvajtjen e saj: përpiqet të mbajë të paprekur nderin e së motrës dhe të gruas: kujdeset për t’i gjetur nuse të vëllait, t’i mësojë të birit artin luftarak, që ta bëjë kreshnik si vehten. Me njerëzit e shtëpisë sillet si malësor; nuk e le të shoqen «të baj vaj në konak», kur i ep lajmin e vdekjes së djalit; e quan si fryerjen më të turpëshme t’i mbetet gruaja në duar të kundërshtarit. Gjithashtu si malësor Muji pret e përcjell agajt, i mbledh në kuvend sa herë që ka ndonjë çështje të rëndësishme për të biseduar, i dëgjon me vëmendje në bisedat që bëjnë, po edhe i kritikon ashpër kur e teprojnë me lavdatat e tyre, kur nuk u bien pas miqve a shokëve që u mbeten në Krajli. Me këto tipare Muji i këngëve tona të lahutës është një përgjithësim artistik origjinal, një figurë tipike e ambientit shoqëror shqiptar, që nuk ka gjë të përbashkët me atë që janë përpjekur të paraqesin disa studjues – si personazh me prejardhje historike, të rritur në kushtet e luftave kufitare turko-sllave të shek. XVII (të viteve 1620-1680). I vëllai i kreshnikut, Halili, është njëkohësisht shok armësh, i guximshëm dhe pjesëtar aktiv i ndërmarrjeve të tij luftarake. Në vijën e zakonshme ai i shtrohet autoritetit të vëllait, nuk ja bën fjalën dy, qoftë për punët që i ngarkon brenda shtëpisë, qoftë kur e fton të dalë «për me çetue në bjeshkë» a për luftime në Krajli. Të dy vëllezërit gjenden gjithmonë pranë njëritjetrit, në krye të çetës që udhëheqin a nëpër lufta, në gjah apo nëpër kuvende me agajt. Kur ndodhet në rrezik Halili, zihet rob, burgoset a nxirret për t’u pre nga kundërshtari, kur i dhunohet varri prej krajlash e harambashash, rend Muji menjëherë në ndihmë të tij. Kështu vepron anasjelltas edhe Halili ndaj Mujit. Miqt merren në «ndore» dhe ruhen me kujdesin më të madh që të mos u ndodhi ndonjë e keqe sa kohë që janë më besë. S’ka gjë që e lan trupin e atij që i pritet ndroja, që i pritet miku në besë. Heronjtë e rapsodive përpiqen të mos u mbetet gjak pa marrë ndaj kundërshtarit. Halili e Muji i kërkojnë armiqtë që u kanë vrarë «7 Omerat» në qiell e në tokë. Por hakmarrja duhet të bëhet në mënyrë burrërore. Muji mund ta vriste lehtas gjaksin që gjen fjetur në bjeshkë, por një hakmarrje e tillë është e pandershme. Një zakon që gjen çfaqje më të gjerë në këngët e kreshnikëve, si normë morale solidariteti shoqëror, është zakoni i besës. Besa është e shenjtë. Mbajtja e saj është një virtyt që i dallon kreshnikët nga kundërshtarët, të cilët quhen me përbuzje si njerëz që nuk dinë të mbajnë fjalën e dhënë. Banesa karakteristike e kreshnikëve është kulla, e cila është e pajisur me prezore e frengji, me sharapollë, me dyer që mbyllen pas me shul, me ahur bagëtish nën të, me koçekë e çerranikë rreth e rrotull. Kullat e krajlave janë të rrethuara edhe me kanale uji e me avlli të larta. Me oborre e me porta të mëdha si kullat feudale të mesjetës. Këto janë 7, 12 katshe, me dyrekë e mbuloja prej dukati, me bedena e pirgje për roje, me podrume të nëndheshme. Mjetet artistike të ciklit janë marrë sikurse u përmend edhe më lart nga ambienti blegtoral i malësisë. Objektet dhe fenomenet e natyrës, vërejtjet e vazhdueshme të bukurisë së maleve, të pyjeve, të bjeshkëve, të ortiqeve, të acarit të dimrit, të rrjedhave të ujit, të krojeve, të luleve, të ngjyrave dhe të ndryshimeve të tyre nën ndikimin e rrezeve të diellit, të motit, të erëravet, të tufave të bagëtive, të jehonës së kumbonave të tyre, u kanë dhënë rapsodëve të gjitha elementet e nëvojshme për realizim portretesh, përshkrime ngjarjesh, trajtim mendimesh, të gjitha të dhënat për krahasime të një niveli të lartë artistik. Rapsodi ka një teknikë të vetën, e cila duke u përpunuar nëpër shekuj, ka përftuar formën kristaline të saj.