1 Marrëveshja E Stabilizim Asociimit Ndërmjet Kosovës*, Në Njërën Anë, Dhe Bashkimit Evropian Dhe Komuniteti Evropian Të
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
MARRËVESHJA E STABILIZIM ASOCIIMIT NDËRMJET KOSOVËS*, NË NJËRËN ANË, DHE BASHKIMIT EVROPIAN DHE KOMUNITETI EVROPIAN TË ENERGJISË ATOMIKE, NË ANËN TJETËR * Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 1 BASHKIMI EVROPIAN, referuar më poshtë si “Bashkimi” ose “BE”, dhe KOMUNITETI EVROPIAN I ENERGJISË ATOMIKE, në njërën anë, dhe KOSOVA*, në anën tjetër, këtu e tutje të referuar bashkërisht si “Palët”, DUKE MARRË PARASYSH lidhjet e forta ndërmjet Palëve dhe vlerat që i bashkojnë, dëshirën e tyre për të forcuar këto lidhje dhe për të vendosur marrëdhënie të ngushta e të qëndrueshme, bazuar në reciprocitet dhe interesat e ndërsjellë, të cilat duhet t’i japin mundësinë Kosovës të forcojë dhe zgjerojë më tej marrëdhëniet me BE-në; DUKE MARRË PARASYSH rëndësinë e kësaj Marrëveshje në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit (PSA) me Ballkanin Perëndimor, për vendosjen dhe konsolidimin e një rendi të qëndrueshëm Evropian të bazuar në bashkëpunim, për të cilin BE-ja është një shtyllë kryesore; DUKE MARRË PARASYSH gatishmërinë e BE-së që të ndërmarrë hapa konkretë për të realizuar perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në, në përputhje me perspektivën e rajonit duke integruar Kosovën në rrjedhat politike dhe ekonomike të Evropës përmes pjesëmarrjes se vazhdueshme të Kosovës në PSA me qëllim të përmbushjes së kritereve relevante dhe kushtëzimeve të PSA-së, që janë subjekt i zbatimit të suksesshëm të kësaj Marrëveshje, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit rajonal; ky proces do të shpie në përmirësimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në, nëse këtë e lejojnë rrethanat objektive dhe nëse Kosova përmbushë kriteret e përcaktuara nga Këshilli Evropian në Kopenhagë më 21-22 qershor të vitit 1993 si dhe kushtëzimet e lartpërmendura; * Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 2 DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve për të kontribuar përmes mjeteve të duhura në stabilizimin politik, ekonomik dhe institucional të Kosovës dhe rajonit, nëpërmjet zhvillimit të shoqërisë civile dhe demokratizimit, ndërtimit të institucioneve dhe reformës së administratës publike, integrimit në tregtinë rajonale dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë drejtësinë dhe çështjet e brendshme si dhe forcimin e sigurisë; DUKE MARRË PARASYSH zotimin e Palëve për rritjen e lirive politike dhe ekonomike që janë bazat themelore të kësaj Marrëveshje, si dhe angazhimin e tyre për të respektuar të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara, DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve në institucione të bazuara në sundimin e ligjit, në qeverisje të mirë dhe parime demokratike nëpërmjet një sistemi shumë partiak me zgjedhje të lira dhe të ndershme; DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve për të respektuar parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), veçanërisht ato të Aktit Final të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (këtu e tutje të referuar si Akti Final i Helsinkit), dhe Kartën e Parisit për një Evropë të Re të vitit 1990; DUKE KONFIRMUAR zotimin e Palëve në zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare, në veçanti por jo vetëm atyre që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me mbrojtjen e personave që u përkasin minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara, duke vënë kështu në pah edhe angazhimin e Kosovës për të vepruar në përputhje me instrumentet relevante ndërkombëtare; DUKE KONFIRMUAR të drejtën për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe mbrojtjen e pronës së tyre si dhe të drejtave të tjera të njeriut; DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm si dhe gatishmërisë së BE-së për të kontribuar në reformat ekonomike në Kosovë; DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve ndaj tregtisë së lirë, në përputhje me parimet relevante të Organizatës Botërore të Tregtisë (këtu e tutje të referuar si “OBT”) të cilat duhet të 3 zbatohen në mënyrë transparente dhe jo-diskriminuese; DUKE MARRË PARASYSH zotimin e Palëve për të zhvilluar më tej një dialog politik të rregullt për çështje të interesit të ndërsjellë, përfshirë aspektet rajonale; DUKE MARRË PARASYSH angazhimin e Palëve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit në përputhje me acquis të BE-së, dhe për të ndaluar migrimin e parregullt dhe përkrahur mobilitetin në një mjedis ligjor dhe të sigurt; ME BINDJEN që kjo Marrëveshje do të krijon një klimë të re për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Palëve dhe mbi të gjitha për zhvillimin e tregtisë dhe investimeve, që janë faktorë kryesorë për modernizimin dhe ristrukturimin ekonomik; DUKE RIKUJTUAR angazhimin e Kosovës për të përafruar legjislacionin në sektorët përkatës me atë të BE-së dhe për ta zbatuar atë me efektivitet; DUKE MARRË PARASYSH gatishmërinë e BE-së për të dhënë një mbështetje vendimtare për zbatimin e reformave dhe për të përdorur të gjithë instrumentet e disponueshme të bashkëpunimit dhe asistencës teknike, financiare dhe ekonomike mbi një bazë gjithëpërfshirëse shumëvjeçare për këtë përpjekje, nëse rrethanat objektive e lejojnë këtë; DUKE THEKSUAR se kjo Marrëveshje nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të KSKB dhe opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës; DUKE MARRË PARASYSH se angazhimet dhe bashkëpunimi që Bashkimi Evropian i pranon në pajtim me këtë Marrëveshje u referohen vetëm fushave të mbuluara nga acquis ose politikat e Bashkimit Evropian; DUKE THEKSUAR se procedurat e brendshme të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (këtu e tutje të referuara si "Shtete Anëtare") mund të jenë të zbatueshme në pranimin e dokumenteve të lëshuara nga autoritetet e Kosovës në bazë të kësaj Marrëveshje; DUKE THEKSUAR se negociatat janë në vazhdim e sipër për themelimin e Komunitetit të 4 Transportit me Ballkanin Perëndimor; DUKE RIKUJTUAR Samitin e Zagrebit të vitit 2000, që bëri thirrje për konsolidim të mëtejshëm të marrëdhënieve përmes PSA-së si dhe për rritjen e bashkëpunimit rajonal; DUKE RIKUJTUAR që Këshilli Evropian në Selanik më 19 dhe 20 qershor të vitit 2003 e përforcoi PSA-në si një kornizë politike për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi perspektivën e integrimit të tyre në BE në bazë të progresit të tyre të reformave dhe meritave individuale; DUKE RIKUJTUAR angazhimet e Kosovës në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore të nënshkruar në Bukuresht më 19.12.2006, të arritur me qëllim të përmirësimit të aftësisë së rajonit për të tërhequr investime dhe për perspektivat e integrimit të saj në ekonominë globale, nëse rrethanat objektive e lejojnë këtë; ME DËSHIRË të krijimit të bashkëpunimit më të afërt kulturor dhe zhvillimit të shkëmbimit të informacionit, DUKE THEKSUAR që nëse Palët vendosin, në kuadër të kësaj Marrëveshje, të hyjnë në marrëveshje specifike në Fushën e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë të cilat do të lidheshin nga BE-ja sipas Titullit V të Pjesës së Tretë të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian, dispozitat e këtyre marrëveshjeve specifike në të ardhmen nuk do të jenë obligative për Mbretërinë e Bashkuar dhe/ose Irlandën përveç nëse BE-ja njëkohësisht me Mbretërinë e Bashkuar dhe/ose Irlandën, sipas marrëdhënieve bilaterale përkatëse në të kaluarën, njoftojnë Kosovën se Mbretëria e Bashkuar dhe/ose Irlanda është/janë pjesë e obligimeve sipas marrëveshjeve të tilla në të ardhmen si pjesë e BE-së në përputhje me Protokolin nr. 21 mbi pozitën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës në lidhje me fushën e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë të aneksuar tek Traktati i Bashkimit Evropian dhe Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, çfarëdo masa pasuese të brendshme të BE-së të cila do të miratoheshin në bazë të Titullit V të lartpërmendur për zbatimin e kësaj Marrëveshje nuk do të obligonin Mbretërinë e Bashkuar dhe/ose Irlandën, përveç nëse ata kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë ose për të pranuar masa të tilla në përputhje me Protokollin Nr. 21. Gjithashtu duke theksuar se marrëveshjet e tilla specifike të ardhshme ose masat e tilla pasuese të brendshme të BE-së do të bien në kuadër të Protokollit Nr. 22 mbi pozicionin e Danimarkës, të aneksuar në ato Traktate. 5 BIEN DAKORD SI VIJON: 6 NENI 1 1. Në këtë mënyrë është vendosur një Asociim ndërmjet BE-së, në njërën anë, dhe Kosovës, në anën tjetër. 2. Synimet e këtij Asociimi janë: (a) të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës; (b) të kontribuoj në stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional në Kosovë si për stabilizimin e rajonit; (c) të sigurojë një strukturë të përshtatshme për dialogun politik, duke lejuar zhvillimin e marrëdhënieve të ngushta politike ndërmjet Palëve; (d) të mbështesë përpjekjet e Kosovës për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërkombëtar, nëse lejojnë rrethanat objektive, gjithashtu edhe nëpërmjet përafrimit të legjislacionit të saj me atë të BE-së; (e) të mbështesë përpjekjet e Kosovës për të përfunduar tranzicionin në një ekonomi funksionale të tregut; (f) të promovoje marrëdhënie ekonomike të harmonizuara dhe të zhvillojë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe Kosovës; (g) të nxisë bashkëpunimin rajonal në të gjitha fushat e trajtuara me këtë Marrëveshje. NENI 2 Asnjë nga termat, formulimet apo përkufizimet e përdorura në këtë Marrëveshje, duke përfshirë Anekset dhe Protokollet e saj, nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga BE-ja si një shtet i pavarur apo nuk paraqesin njohje individuale nga Shtetet Anëtare për Kosovën nëse ato nuk e kanë ndërmarr një hap të tillë.