Fjala E Mbajtur Nga Ministri I Energjisë Dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri Në Interpelancën E Kërkuar Prej Deputetit Vangjel Tavo
Total Page:16
File Type:pdf, Size:1020Kb
Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në interpelancën e kërkuar prej deputetit Vangjel Tavo Të nderuar deputetë, I nderuar Kryetar, Falënderoj zotin Tavo për mundësinë që më jep dhe për pyetjet që ngriti, megjithëse e mira do të ishte që këto fatura që u përmendën ti kisha patur në dispozicion më përpara. Gjithsesi, ja vlen që të japim shpjegime, për të kuptuar edhe se çfarë probleme ka poshtë, si e gjetëm realitetin, sa të thella janë problemet, dhe e vërteta se do të duhet kohë që të riparohen. Me këtë nuk dua të them se shqetësime nuk ka. Njëkohësisht, jo gjithçka që u tha këtu mund të mos përputhet me realitetin apo se shërbimet poshtë në Gjirokastër nuk janë në vëmendje të Ministrisë, apo ti përgjigjen qytetarëve siç duhet. Megjithatë, më lini që të shpjegoj ku e kemi gjendjen e sektorit, se përpara se të ngremë problemet duhet të kuptojmë se sektori energjetik është një sektor që do të dojë shumë kohë të japë rezultatet e veta përsa i përket shërbimeve. Ju e dini shumë mirë se kur erdhëm në pushtet, gjendja e sektorit energjetik ishte katastrofike, një kompani e cila kishte mbi 50% humbje, me të ardhura minimale, me arkëtime që ishin në minimumin e tyre historik, sidomos viti 2012-2013. Kjo bënte që në fund, sidomos periudhën Tetor-Nëntor, kompania nuk kishte para edhe për të paguar pagat e jo më të paguante KESH-in, OST-në, furnizuesit e tjerë, apo të kishte fonde për investime të mëtejshme. Ky është një realitet që duhet ta pranojmë dhe duhet ta dimë. Që të ngrihesh në energji do të duhet kohë dhe do të duhen investime. Arsyeja pse kanë munguar investimet, sidomos pas viteve 2012-2013, ka të bëjë së pari me faktin se kontrata e privatizimit dështoi dhe nuk ka pasur financime për të mbuluar një shërbim më cilësor për qytetarët. E dyta, ishte e pamundur për kompaninë CEZ Shpërndarje të gjente kapital për të investuar e përmirësuar infrastrukturën e saj e për të dhënë shërbime më cilësore. Kjo, jo vetëm për Gjirokastrën, por për të gjithë Shqipërinë. Kompania tanimë quhet OSHEE dhe vetëm ditën e sotme është mundësuar të përmbyllet procedura dhe shteti shqiptar të jetë pronar i 100% të aksioneve. Pse kemi qenë të alarmuar për sektorin energjetik, pse e kemi thënë me kohë që sektori energjetik ka qenë një sektor i neglizhuar? Këtë nuk e kam thënë unë, e ka thënë Banka Botërore, këtë e ka thënë Komuniteti i Energjisë, të gjitha institucionet ndërkombëtare e kanë thënë qartë se gjatë viteve të fundit nuk është bërë asgjë me sektorin energjetik. Që energjetika të përmirësohet do kapitale të mëdha, do investime të mëdha. Kjo ka qenë arsyeja që donim të zgjidhnim një konflikt të hapur, pasi e kishim të pamundur për të gjetur kapital financiar, për të investuar, për të përmirësuar këto shërbime. Në planet tona, patjetër që do të jenë zonat që kanë aktivitet më të madh ekonomik, që kanë popullsi më të madhe dhe Gjirokastra si një qark shumë i rëndësishëm do të përfitojë shërbimet e merituara dhe investimet për të përmirësuar infrastrukturën energjetike. Dua të ndalem tek disa pyetje konkrete që keni ngritur. Pyetje e parë e Z.Tavo: “Përse ka ndërprerje të shpeshta të energjisë në zonat rurale të qarkut të Gjirokastrës“ Zonat rurale të Gjirokastrës furnizohen nga fidera të tensionit të mesëm, gjatësia e të cilëve varion nga 15 – 65 km. Kjo infrastrukturë është ndërtuar rreth viteve 1960-1970, me disa ndërhyrje të kryera gjatë viteve 1990-2000. Siç shihet, koha e gjatë e shfrytëzimit dhe gjatësia e madhe e rrjetit, si dhe infrastruktura tërësisht e amortizuar, krijojnë mundësitë për ndërprerje të shpeshta. Si rezultat i tyre ndodhin avari të shumta në tensionin e mesëm dhe në tensionin e ulët, siç është djegie transformatorësh, lidhje të shkurtra, lidhje me tokën, këputje përcjellësish, dëmtim ndarësash, vjedhje të kabllove dhe të gjitha këto sjellin avari. Gjithashtu ka edhe remonte të planifikuara (të mesme dhe profilaktike), siç ka kur ka punime korporata, patjetër që energjia do të ndërpritet. Megjithatë, është më mirë të flasim me disa statistika krahasuese. Përshembull, po të krahasojmë vitin 2014, totali i ndërprerjes së energjisë është 2.58 orë/ndërprerje ose 11% më e ulët se viti 2013. Pra, ndërprerje ka pasur dhe le ta themi, nuk është se ndërprerje nuk do të ketë edhe në disa vite në vijim. Nuk kanë qenë ndërprerje të karakterit për të racionuar konsumin e energjisë, pra duhet të kuptojmë këtë. Nuk është ndërprerje siç bëhej dikur që nuk kishte energji ose ishte e pamundur të importohej dhe një mënyrë për të reduktuar humbjet ka qenë ndërprerja e energjisë. Në momentin kur sistemi është me humbje të mëdha dhe kur tarifat nuk reflektojnë kostot, shtetet kanë dy mënyra, ose do ta subvencionojnë diferencën duke blerë energji, ose do të ndërpresin energjinë sepse malli që hidhet për konsumatorin nuk përballohet nga ana financiare. Realisht edhe ky përmirësim përsa i përket reduktimit të ndërprerjeve është si rezultat i një pune shumë më të mirë të korporatës. Nga ana tjetër, pse e përmenda faktin që sot kalojnë aksionet dhe shteti merr në kontroll të plotë shoqërinë? Kjo do të na japë mundësinë që të kryejmë edhe riorganizimet e duhura. Kemi qenë të ngrirë në një proces ligjor dhe prandaj e kemi parë në një mënyrë alarmante dhe donim ti jepnim fund atij procesi, pasi ne për vite të tëra do ti kishim duart e lidhura dhe korporata duhet të rrinte kështu siç është me një administrator të përkohshëm, pa investime. Patjetër situata do të degradonte në një pikë të tillë që, unë e kam thënë me bindje, duke u konsultuar me shumë teknikë, nga viti tjetër sistemi mund të binte fare. Pra, pa zgjidhjen e atij konfikti dhe pa hapur rrugën programit të investimeve, situata do të ishte jashtëzakonisht e rëndë dhe Shqipëria mund të kalonte në një kolaps energjetik. Këtë e marr si shembull, sepse e di që interesi juaj është për qarkun e Gjirokastrës, me të drejtë jeni deputetet aty, si shumë të tjerë që janë të interesuar për qarkun e Gjirokastrës. Dua të jap një panoramë të plotë, që patjetër efektet i ka dhe në nivelin e qarkut Gjirokastër. Në lidhje me remontet e kryera në rrjetin shpërndarës në Qarkun e Gjirokastër, unë po ju listoj disa ndërhyrje që janë bërë gjatë vitit të fundit të specifikuara sipas zonave: Njësia Gjirokastër Komuna “Dropulli Sipërm” Fideri “Dropulli Sipërm” N/st. 35/10 kV Grapsh: Është kryer ndërhyrje në të gjitha linjat që dalin nga ky nënstacion dhe konkretisht: në segmentin e tensionit të mesëm Grapsh – Jorgucat; Jorgucat – Vrisera; Vrisera – Llongo; Llongo – Koshovicë dhe Llongo – Sotirë. Në këto linja është kryer ndërrimi i izolatorëve, tërheqja e përcjellësave, zëvendësimi i pjesshëm në vendet e dëmtuara, si dhe pastrimi i traseve të linjave. Është ndërhyrë në kabinën Bularat, Likokomil, Klishar, Llongo në kuadrin e tensionit të ulët duke përfshirë dhe zëvendësimin e tyre ku ishte e nevojshme, tërheqje përcjellësi dhe zëvendësimi i izolatorëve. Komuna “Zagori” & Pogon Fideri “Zagori” N/st. 35/10 kV Grapsh: Është ndërhyrë në segmentin e TM Grapsh – Libohovë; Libohove – Poliçan; Poliçan – Catiste dhe në Zagorinë e Poshtme. Në këto linja është kryer ndërrimi i izolatorëve, tërheqje përcjellësi dhe zëvendësime të pjesshme në vendet e dëmtuara, si dhe pastrimi i traseve të linjave. Është ndërhyrë në kabinat Poliçan, Hllomo, Sopik në kuadër të tensionit të ulët, si dhe pastrim traseje dhe shtrëngim të përcjellësve. Komuna “Dropulli Poshtëm” Fideri “Dropulli Poshtëm” N/st. 35/10 kV Grapsh: Është ndërhyrë në segmentin e tensionit të mesëm Grapsh – Glinë; Peshkëpi – Radat; Grapsh – Derviçian. Edhe në këto linja është kryer ndërrimi i izolatorëve, pastrimi i trasese, tërheqja dhe pjesërisht zëvendësimi i përcjellësve. Është ndërhyrë në kabinat Radat, Vllaho-Goranxi, Derviçian 1, Derviçian 2, Derviçian 3 duke përfshirë pjesërisht dhe rrjetin përkatës. Komuna “Çepo” Fideri “Kardhiq” N/st. 110/35/6 kV Gjirokastër: Është ndërhyrë në segmentin N/st. – Ura e Kardhiqit dhe segmentin Ura e Kardhiqit – Zhulat. Është kryer ndërrimi i izolatorëve, pastrim traseje, tërheqje dhe pjesërisht zëvendësim përcjellësi. Është kryer remont në kabinat Palokastër, Prongji, Ura e Kardhiqit, Cepune, Plesat, Fushë Bardhë, Zhulat, Taroninë me procese pastrim traseje shtrëngim përcjellash. Komuna “Picar” Fideri “Kardhiq” N/st. 110/35/6 kV Gjirokastër: Është ndërhyrë në segmentin e tensionit të mesëm Humelicë – Picar; Picar– Gropa e Barxhit; Picar-Kolonje-Medar; Votuca – Subash. Është kryer remont në kabinën Picar duke përfshirë dhe rrjetin e tensionit të ulët. Komuna “Lunxheri” Fideri “Lunxheri” N/st. 110/35/6 kV Gjirokastër: Është ndërhyrë në segmentin e tensionit të mesëm Shëntodër – Qesarat; Shëntodër – Erind; Shëntodër – A. Poci. Është ndërhyrë në kabinat Shëntodër, Erind, Dhoksat, Këllëz vendosur ndarësa TM, shkarkusa dhe panele TU. Komuna “Antigonë” Fideri “Zagorie” N/st. 110/35/6 kV Gjirokastër: Është ndërhyrë në segmentin e TM A. Lengo – Tanke; Zeneli – Saraqinishte dhe Pllakalli – A. Zeneli. Është ndërhyrë në kabinën A. Zeneli në rrjetin e Tensionit të Ulët, duke kryer shtrëngimin e përcjellësve dhe zëvendësimin e izolatorëve. Agjencia Tepelenë Komuna “Kurvelesh” Fideri “Ujësjellës” N/st. 110/6 kV Memaliaj: Është ndërhyrë në segmentin e TM Bambull – Salari; Salari – Gusmar; Gusmar – Progonat; Dukaj – Turan. Është ndërhyrë në kabinën Deliaj, Mesas, Elezaj, Dukaj në kuadrin e TU. Komuna “Buz” Fideri “Miniera 1” N/st. 110/6 kV Memaliaj: Është ndërhyrë në segmentin e TM Buz – Kurtëz; Buz – Buzkalemaj. Është ndërhyrë në kabinat Buz, Bardhaj, Kurtëz në kuadër të TU si dhe pastrim traseje dhe shtrëngim të përcjellave. Komuna “Luftinje” Fideri “Miniera 1” N/st. 110/6 kV Memaliaj: Është ndërhyrë në segmentin e TM Memaliaj – Sek III; Canaj – Izvor dhe Luftinje – Buz.