1 2 3 instituti i studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist I A-Ç TIRANË, 2012 4 Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist Redaktor përgjegjës: Azem Qazimi Redaksia: Agron Tufa, Davjola Ndoja, Çelo Hoxha, Daniela Runa, Brunilda Doçi, Ada Sinani, Juliana Kurti Bordi konsultativ: Kolec Topalli Alfred Luka Uran Butka Gëzim Peshkëpia Pjetër Pepa Romeo Gurakuqi Nebil Çika Agim Musta Visar Zhiti Virion Graçi Kolec Çefa Dhurata Shehri Gjovalin Çuni © ISKK, 2012 Ky botim u mundësua nga Fondacioni “Konrad Adenauer” Design & Layout: Grafika Elzana Shtypur në shtypshkronjën: West Print 978-9928-168-01-6 ISBN: 978-9928-168-02-03 Ky botim shpërndahet falas 5 NË MUNGESË TË NJË TRIBUNALI “Kam me ju kallë mnerën në nji grusht pluhun1” (T.S. Eliot) Një inventar për viktimat e terrorit komunist “Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist” është një projekt i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK). Fill pas botimit të këtij vëllimi të parë, Instituti ynë do të vijojë punën evidentuese për realizimin e plotë të projektit, i cili, në përputhje me rendin alfabetik, mendohet ta “shterrojë” lëndën e tij në 8 vëllime. Në faqet e këtij Fjalori, ne synojmë t’i bëjmë me dije gjithkujt që interesohet për përmasat e krimit, dhunës, terrorit, shtypjes, sikundërse dhe format e përndjekjes që shteti komunist njëpartiak (ose Partia-Shtet), ka ushtruar mbi qytetarët shqiptarë gjatë gjithë ekzistencës së tij, para dhe gjatë ushtrimit të pushtetit. Përveç përmbushjes së kësaj detyre të dëshmisë dhe kujtesës, si detyrim moral ndaj të vdekurve, sidomos kur ata janë viktima të pafajshme e të pambrojtura, Instituti ynë synon, njëkohësisht, krijimin e një databaze kombëtare me të dhënat më të plota për numrin e përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë të persekutuar politikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Në të gjitha traditat e lashta dhe të reja të njerëzimit, puna e parë që është bërë fill pas një lufte apo beteje, ka qenë hartimi i listave të sakta zyrtare të humbjeve në njerëz. Të gjithë e dimë se kohëzgjatja gjysmëshekullore e diktaturës komuniste në Shqipëri, e kalon disa herë përmasën e thjeshtë të një lufte a beteje; për popullin shqiptar, kohëzgjatja e diktaturës komuniste ishte një plojë rrënuese, shkatërrimtare, që e cfiliti dhe e shfytyroi shoqërinë tonë deri në mosnjohje. Një pjesë e pakthyeshme, e pazëvendësueshme dhe e pandreqshme e kësaj “lufte të gjatë” drobitëse ishin qytetarët shqiptarë, viktima të përshkallëzimit të dhunës, të cilët, siç do të paraqiten në “Fjalor...”, janë mijëra të pushkatuar, dhjetëra mijëra të dënuar politikë dhe mbi njëqind mijë të tjerë të internuar në kampet shfarosëse të punës së detyruar. Deri më sot nuk është bërë një përpjekje gjithëpërfshirëse e sistematizuese e numrit të plotë të viktimave, prandaj, edhe rezultatet që kanë dhënë disa statistika të vitit 1993 e në vijim, janë të pjesshme, duke u bazuar në dokumentacionin zyrtar të shtetit komunist. Mbledhja dhe hartimi i të dhënave të sakta të numrit të qytetarëve të persekutuar politikisht, i tejkalon ndjeshëm shifrat e deritanishme, duke përfshirë, si ndërmjetësim konfirmues për çdo zë në aktet ligjore të dënimit, edhe dëshmitë e penalitetit. 1 T.S.Eliot. Varg i poemës “Toka e shkretë”, sipas përkthimit tim (A.T). 6 Nazizmi versus Komunizmi Alen Bezanson, një ndër filozofët e politologët më të shquar bashkëkohorë francezë, në librin e tij “Fatkeqësitë e shekullit”, nazizmin hitlerian dhe komunizmin i quan në një masë të barabartë - sisteme kriminale. Që të dy, në të njëjtën masë, lejuan krimet masive dhe gjenocidin. Që të dy sistemet vranë miliona njerëz. Megjithatë, kujtesa historike i percepton këto dy sisteme jo njëlloj. Nëse krimet e nazizmit gjithmonë kujtohen, për habi, për krimet e komunizmit në pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste, heshtet, ndërsa për ndëshkimin e përgjegjësve për vrasjet, burgosjet, rrënimin dhe trullosjen e tre a katër brezave - as që bie fjala. Prej nga e ka zanafillën kjo asimetri në sjelljen ndaj nazizmit dhe komunizmit, - pyet Bezansoni? Ai parashtron shtatë shkaqe. Së pari, nazizmi është shumë më i njohur, për shkak se aleatët hapën kanatësh “dollapët me kufoma”, ndërkohë që shoqëritë perëndimore i kishin provuar në lëkurë të vet egërsitë e hitlerianëve. Por GULAG-u sovjetik dhe kampet e përqendrimit kinez “Laogaj”- ishin për europianët diç e përlargët dhe mjegullore. Së dyti, detyrën për të ndërmendur krimet e nazizmit e mori përsipër populli hebre. Njerëzimi duhet t’u jetë mirënjohës hebrenjve që gjenocidi nazist i kryer mbi ta, nuk iu la harresës, - shkruan Bezansoni. Së treti, nazizmi dhe komunizmi qenë përzier në polet e përkundërta të fushës magnetike - në të djathtën dhe të majtën. Shumë intelektualë e klasifikonin komunizmin tek forcat e majta, duke e marrë aparencën dhe dinakërinë e parullave të ideologëve komunistë si të vërteta të padiskutueshme. Ndërsa rrënjët e nazizmit i shihnin të lidhura me ideologjinë e djathtë. Por në të vërtetë, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman i kanë rrënjët pikërisht në demagogjinë e majtë - ja paradoksi! Së katërti, aleanca ushtarake e shteteve demokratike me Bashkimin Sovjetik në kohën e luftës kundër Gjermanisë hitleriane e dobësoi mbrojtjen e Perëndimit nga komunizmi dhe lindi në një farë lloji bllokadën intelektuale. Vendet demokratike u sakrifikuan rëndë në emër të fitores mbi Hitlerin. Mandej, në përfundim të kësaj lufte, perëndimorët nuk kishin më fuqi që të mund të ndalnin edhe regjimin sovjetik, e, së mbrami, duke u përpjekur të ruajnë ekuilibrin, ata e ndihmuan atë të mbahej. Së pesti, një arritje e madhe e ideologëve sovjetë ka qenë dhe ajo që ata përhapën dhe diktuan sistemin e tyre të klasifikimit të regjimeve politike: socializmin ia kundërvinin kapitalizmit, madje socializmin e identifikonin plotësisht me rendin sovjet! Së gjashti, dobësia e një grupi njerëzish, të aftë për të ruajtur kujtesën mbi komunizmin. Nazizmi sundoi përgjatë 12 vjetëve, ndërkohë që komunizmi europian pati një ekzistencë midis 50-70 vjetësh. Gjatë kësaj kohëzgjatjeje, shoqëria qe rrënuar, elitat dalëngadalë u shfarosën, duke iu nënshtruar dhunshëm riedukimit. Mbretëroi mashtrimi, pabesia, perversioni moral. Shumica e njerëzve të pavarur, të aftë për reflektim, u privuan nga mundësia e njohjes së historisë dhe e humbën aftësinë e analizës. Pas rënies së sistemit totalitar, gjëja më e vështirë është të ringresh parimet morale dhe 7 NË MUNGESË TË NJË TRIBUNALI aftësitë intelektuale. Gjermania ishte në një gjendje më të volitshme se Rusia postsovjete: Hitleri nuk pati kohë të plotë që të shfaroste shoqërinë qytetare. Së shtati, amnezia, me të cilën kemi punë në rastin e komunizmit, na shpie në përfundimin se kujtesa për nazizmin vazhdoi të mbetet e të ushqehet fort, ndërsa nuk ndodhi e njëjta gjë me komunizmin. Mitologjia komuniste mbi Kohën dhe Historinë Terrori i konceptuar politikisht dhe ideologjikisht sipas doktrinës komuniste ose terrorologjika, nuk kurseu as mjet e as qëllim, duke mbjellë një psikozë të rëndë ankthi e pasigurie nga kryeqyteti deri në fshatrat e provincat më të skajshme të atdheut, si në rastet kur u drejtua ndaj kundërshtarëve të regjimit, ashtu edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij. Dhuna e kombinuar me propagandë, me gjyqe masive, me luftën e klasave, me pushkatime, linçime publike dhe sistemin e dubluar të survejimit, alibisë së fajit dhe spiunimeve, e shpuri terrorin shtetëror në një rang okult, duke e nënshtruar skllavërisht popullatën shqiptare të pranonte, e paralizuar, vullnetin e pushtetit diktatorial. Sistemi totalitar i pushtetit komunist e tëhuajësoi popullin shqiptar prej çdo kujtese e tradite të mëparshme, duke i imponuar regjimin e vet të edukimit, nëpërmjet shantazhit, varfërimit, terrorit, pushkatimeve, burgimeve e internimeve dhe propagandës nëpër shkolla, kooperativa e qendra pune. Çdo përfytyrim i mëparshëm për historinë, marrëdhëniet shpirtërore me fenë dhe traditën, artin e letërsinë u fshi, u çrrënjos, duke eksperimentuar ndër breza tipin e njeriut të ri, pa të shkuar, një tabula rasa, si hap i parë i manipulimit të ndërgjegjes, përshtat me trajektoren e shndërrimit të tij në një zombie të komanduar. Sipas komunistëve, historia fillon në atë moment kur ata erdhën në pushtet. Atëherë nis dhe “shenjtërimi” i historisë dhe e drejta për ta parë atë sipas doktrinës ideologjike. Kjo duket qartë në manipulimin e traditave, bastardimin e folklorit dhe arteve dhe sidomos, me kalendarin e festave të ngjyer lyrshëm me të kuqe. Është një mitologji e tërë që flet për zëvendësimin e festave tradicionale me festat komuniste, siç është zëvendësimi i 28 Nëntorit me datën 29 si datë e “Çlirimit” të Shqipërisë, duke e njehsuar atë me festën kombëtare të Jugosllavisë. Le të ndalemi pak në origjinën intencionale mitologjike të festimeve komuniste, e cila synonte ta rrethonte njeriun me suazën kohore të doktrinës. Baza mitologjike e festimeve, qysh në kohërat parakristiane, ka qenë kremtimi i çdo “zanafille të re”, një dëshirë e fortë për një përtëritje të re të botës; dëshira për të hyrë në historinë e përtëritjes së botës, domethënë të krijuar për së pari. Nuk është vështirë të sillen shembuj të shumtë për ta ilustruar. Ndër shumë mite, ndër më tipikët janë miti mbi parajsën e humbur që ruhet deri më sot në imazhet e ishullit parajsor apo tokës së pamëkatë, tokës së çliruar, Eldorados utopike ku ligjet janë anuluar, ndërsa koha qëndron në vend. E rëndësishme është të depërtojmë matanë maskës së sjelljes mitologjike të realitetit bashkëkohor, duke analizuar, para së gjithash, pozicionin e tij ndaj kohës. Nuk duhet të harrojmë që njëri nga funksionet thelbësore të mitit është NË MUNGESË TË NJË TRIBUNALI 8 të mundësojë hyrjen në kohën zanafillore. Kjo duket qartë në tendencën për të injoruar kohën e tashme apo atë që quhet “moment historik”. Reminishencat e këtij qëndrimi mitik ndaj kohës mund t’i kundrojmë në kalendarët e kremtimeve festive, të cilat rrëfejnë për të vërtetat absolute, për historinë e shenjtë, të ndryshme nga ajo profane, nëse operojmë me këto dy nocione të Mirçea Eliades.
Details
-
File Typepdf
-
Upload Time-
-
Content LanguagesEnglish
-
Upload UserAnonymous/Not logged-in
-
File Pages279 Page
-
File Size-