11 shtator 1922. {Koment i Librit Debat Parlamentar para nje shekulli....} Fillon mbledhja e 39 e Kuvendit Kombëtar për vitin 1922, me temë zgjerimin e statutit të Lushnjes. Kjo mbledhje nuk ishte e rastit. Qysh një vit më parë, në qershor 1921, në mbledhjen e 22-të të Kuvendit Kombëtar, deputeti Koço Tasi i drejtohet me një “proponim” kryesisë së Parlamentit, me anën e të cilit, ndër të tjera, kërkon: “Për arsye që gjithkush i di, imponohet që në programin e këtij sesioni duhet të tjetë edhe plotësimi i statutit, të paktën, sa për pjesën organike të tij, dmth. përsa i përket Këshillit të Lartë, Parlamentit, Ministrave dhe Pushtetit gjyqësor. Dhe po aty, në këtë propozim, Koço Tasi vazhdon: “Prandaj, të zgjidhet një komision parlamentar, të cilit t’i ngarkohet urgjentisht elaborimi, përgatitja e këtij plotësimi, me detyrë që t’i paraqitet për miratim Parlamentit brenda në kohën e këtij sesioni”. Propozimi i konstitucionalistit Koço Tasi, që mund të quhet një nga protagonistët kryesorë në hartimin, diskutimin dhe formulimin e mjaft ligjeve të rëndësishme për kohën, duke filluar qysh nga ligji themelor, vihet në rendin e ditës. Kishte kaluar më shumë se një vit nga Kongresi i Lushnjes dhe nuk ishte arritur stabiliteti i nevojshëm politik. Ishin krijuar dhe rrëzuar disa qeveri. U shfaqën jo pak përplasje dhe u krijuan konflikte midis institucioneve kryesore të shtetit, pati mjaft reagime për të mos pranuar autoritetin e shtetit, - kulmi u arrit me ngjarjet e muajit dhjetor 1921 dhe mars 1922 ku u ndërmorën lëvizje të armatosura kundër qeverisë – çka vinte interesat kombëtare në rrezik. Pikërisht në këtë situatë, deputeti Koço Tasi, bëhet interpret i një grupi deputetësh me vizion, që e kuptonin se mungesa e një kushtetute, e ushqente anarkinë institucionale, ndaj dhe duhej, urgjentisht, të fillonte puna për përgatitjen e ligjit themelor të shtetit, mbi bazën e një statuti të njohur e të pranuar, atij të Kongresit të Lushnjes. Qëndrimi mbi kornizat e tij do të shërbente për të lehtësuar punën për përgatitjen e një statuti më të gjërë e të plotë. Ishte fjala për kushtetutën e parë të Shqipërisë. Duke inicuar ndërmarrjen nga Parlamenti të punës për hartimin e kushtetutës së parë shqiptare, Koço Tasi shfaqet si një nga avokatët më me kompetencë të të drejtës kushtetuese dhe të institucioneve të shtetit, që në çdo rast, siç del edhe nga këto procesverbale, di të promovojë, të sqarojë, të argumentojë parimet kushtetuese, procedurat dhe arkitekturën e godinës shtetërore. Pas disa diskutimeve në Parlament, vendoset që të ngrihet një komision i posaçëm me detyrë përgatitjen e një projekti, i cili duhet të shërbente si bazë për diskutimin e mëtejshëm. Si pjesëtarë të këtij komisioni u caktuan Fan Noli, Dom Ndre Mjeda, Koço Tasi, Stavro Vinjau, Ali Këlcyra, Ibrahim Xhindi, Mehdi Frashëri, Shevqet Daji, Kadri Hoxha, Milto Tutulani, Mustafa Kruja dhe Luigj Gurakuqi – të gjithë juristë të njohur dhe personalitete të rëndësishme politike, të njohur për kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Anëtarët e këtij komisioni punuan rreth gjashtë muaj për përgatitjen e projektit, por disa ngjarje që ndodhën në fund të vitit 1921 dhe në pranverë të vitit 1922 – synimi i të cilave ishte rrëzimi i qeverisë me dhunë – e vonuan diskutimin e këtij projekti, sikurse ndikuan gjithashtu që të kuptohej më shumë edhe nevoja e diskutimit të tij. Në këto kushte, disa ditë pas fillimit të sesionit parlamentar të vjeshtës, më 11 shtator 1922, në mbledhjen e 39, aty nga mbarimi i saj, kryetari i Parlamentit Eshref Frashëri, i njoftoi deputetët për fillimin e diskutimit mbi zgjerimin e statutit të Lushnjes. Çdo deputet kishte përpara nga një kopje të projektit të këtij statuti. MBLEDHJA 39 KRYETARI ESHREF FRASHERI: Bisedim mbi zgjerimin e Statutit të Lushnjes. Z. SULEJMAN DELVINA: Nuk mund të themi Statuti i shtetit shqiptar, se këtë do ta bëjë asambleja. Por të thuhet kompletimi i Statutit provizor të shtetit shqiptar. Z. SHEVQET DAJI: Kemi fjalën zgjerim. Pranohet që të thuhet “zgjerimi i Statutit provizor të shtetit shqiptar”. Këndohet Statuti përgjithësisht sipas kopjes bashkëngjitur. Z. ABDYL SULA: Në Statutin që u këndua, mungojnë shumë sende, sikundër ka edhe shumë sende tepër që nuk gjenden në statutet e botës. Duke filluar nga pika e parë, dua të bëj disa vërejtje. Në këtë pikë thuhet shteti shqiptar qeveriset prej një qeverie monarkike kushtetore, që nuk do me thanë konstitucionale, por conditionnele. DOM N. MJEDA: Kondisionel do me thënë kushtore dhe jo kushtetore. 1) Z. KRYETARI: Sipas rregullave, nuk mund të bisedohet në detaje, por përgjithësisht. Z. ABDYL SULA: Si e thashë në fillim, përgjithësisht mungojnë shumë sende që gjenden në statutet e botës si dhe ka shumë sende të tepërta, që mungojnë në statutet e botës. Z. SULAJMAN DELVINA: Ato që janë të tepërta, si dhe ato që mungojnë, mund të na i thoni. ZËRA: Këto janë detaje, kur të bisedohet në detaj, atëhere mund të bëhen këto kundërshtime. Z. KOÇO TASI: Në bazë të vendimit të Parlamentit, u caktua një komision për zgjerimin e Statutit, në të cilin ndodhesha edhe unë. Për sa mundi, komisioni nuk u largua nga baza e Statutit të Lushnjes. Ai thotë se shteti shqiptar është monarki konstitucionale dhe ne kështu e lamë. Statuti i Lushnjës thotë se vendin e mbretit e zë përkohësisht Këshilli i Lartë dhe ne kështu e lamë. Komisioni caktoi ato të drejta që u përkasin fuqive legjislative dhe ekzekutive dhe nuk u largua nga baza (e Statutit). ZËRA: Me qënë se Statuti është një gjë me shumë rëndësi, të lihet për nesër.2) Vihet në votë vazhdimi apo mosvazhdimi i mbledhjes dhe vendoset që bisedimi mbi zgjerimin e Statutit të lihet për nesër. ----------------- 1.Qysh në fillim të diskutimeve duket serioziteti parlamentar edhe për formulimin e përmbajtjes së neneve me gjuhën dhe fjalët më të sakta. Deputeti Dom Ndre Mjeda, i cili njihet mirë jo vetëm si një poet po edhe si një gjuhëtar, ndërhyn për të qenë të saktë në shprehjen e kuptimit të një fjale, rreth të cilës më pas do të zhvilloheshin mjaft diskutime. 2. Diskutimi për këtë çështje vetëm sa filloi në fund të mbledhjes së 39-të dhe u la për të nesërmen. MBLEDHJA 40 Z. KRYETARI: Më parë se të hyjmë në rendin e ditës, 1) dua t’u pyes ç’duhet të bëjmë për ata deputetë që u është mbaruar leja dhe nuk kanë ardhur ende këtu… Bisedim mbi zgjerimin e statutit provizor të shtetit shqiptar. Këndohet artikulli 1 Z. MILTO TUTULANI: Duke qenë se ndodhemi në zgjerimin e Statutit të Lushnjes, më duket se duhet të ruajmë esencën e këtij statuti. Me formimin e këtij artikulli, më duket se ata të komisionit kanë dalë nga kompetenca e tyre, pse nuk është e vërtetë se statuti i Lushnjës përmban një formë monarkie kushtetore, përkundrazi, shpirti i këtij statuti, që Këshillit të Lartë nuk i jep asnjë votë dhe krijon një senat omnipotento, (të plotfuqishëm – red.) është përkohësisht deri sa të vijë mbreti demokrat me regjencë. Me shtet monarkik kushtetor kuptohet se të drejtat i ka monarku dhe pasi disa nga këto të drejta ia lë nationit, (këtu: popullit – red.), prandaj quhet kushtetore; përkundrazi, kur gjithë të drejtat i ka nationi dhe vetëm disa të drejta i jep mbretit, atëhere quhet mbretëri demokrate (Demokratie royale) dhe (si)pas Statutit të Lushnjes, mbasi të gjitha të drejtat i ka rezervuar populli për vete dhe disa i ka hequr dhe ia ka dhënë Këshillit të Lartë, qysh mundet forma jonë pas këtij statuti të quhet monarki kushtetore; nga këto jam i mendimit që të hiqet nga ky nen fjala monarki kushtetore dhe në vend të tyre të vihet fjala shtet konstitusionel. Z. SULEJMAN DELVINA: Me fjalën qeveri monarki kushtetore është pranuar ardhja e mbretit. Unë jam i mendimit që të thuhet monarki parlamentare, pse ka qeveri që kanë konstitucion, por s’kanë parlament, teksa ne jemi një qeveri parlamentare. Z. LUIGJ GURAKUQI: Komisioni i formuar prej Parlamentit, në të cilin kam pasë qenë edhe unë, ka pasur për barrë zgjerimin e Statutit të Lushnjes dhe më duket se këtë barrë e ka kryer, duke mos u larguar nga baza. Artikulli i parë që shteti shqiptar qeveriset prej një qeverie monarkike kushtetore 2) u formulua kështu duke u bazuar në Statutin e Lushnjes, i cili thotë se, Këshilli i Lartë zë vendin e mbretit deri sa të vijë Ky. Pra, edhe në qoftë se atëhere nuk u tha se shteti shqiptar është monarkik, ky kuptim del vetvetiu nga artikulli i Statutit të Lushnjes që përmenda. Sa për konsekuencën që mund të rrjedhë nga një fjalë e tillë, nuk duhet të preokupohemi, pasi në artikullin e parë shtojmë se vendin e mbretit e zë përkohësisht Këshilli i Lartë me të drejtat e detyrat e caktuara në mënyrë taksative në këtë Statut 3) dhe se, kjo shtojcë, është konsekuencë e paragrafit të parë. ___________ 1.Me fillimin e punimeve, bëhej apeli për të konstatuar pjesëmarrjen e deputetëve dhe në se ishte shumica e nevojshme për zhvillimin e rregullt të një mbledhjeje. Karakteristike, siç del nga procesverbalet e mbledhjeve të Parlamentit, ishte largimi me leje dhe shqetësimi për mungesat e pajustifikuara apo vonesat tej afatit të lejes së kërkuar. 2. Siç shihet edhe më poshtë, rreth këtij artikulli bëhen diskutime e debate të shumta dhe, megjithëse pranohet teza për t’i qëndruar besnik statutit të Lushnjes për formën e regjimit politik, u ra dakort që të mos pasqyrohet në mënyrë direkte në statutin e zgjeruar. – nënvizimi me korsive i bot. 3. Në variantin përfundimtar, ky përbën formulimin me të cilin çelet edhe statuti, duke u përqendruar më tepër te organet që ushtrojnë sovranitetin dhe jo se ku qëndron sovraniteti.
Details
-
File Typepdf
-
Upload Time-
-
Content LanguagesEnglish
-
Upload UserAnonymous/Not logged-in
-
File Pages145 Page
-
File Size-