Misteret e Klarës Libra nga Ellen Marie Wiseman PEMA E KUMBULLËS MISTERET E KLARËS Botuar nga Kensington Publishing Corporation MISTERET E KLARËS ELLEN MARIE WISemAN PËRKTHEU: MANJOLA ÇRAGA Titulli i origjinalit: What she left behind Titulli i botimit në gjuhën shqipe: MISTERET E KLARËS Copyright 2016 Botimet Living Tiranë, 2016 Shtypur në Shqipëri ISBN: 978-9928-216-01-4 Botuese: Ridvana Dulaku Përktheu: Manjola Çraga Redaktoi: Pranvera Palushi, Edvina Sojati Kryeredaktore: Etleva Çepele Design & Layout: Dritan Lleshi Të gjitha të drejtat e këtij libri janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdolloj mjeti e forme. Kompleksi “Don Bosko” Living online: Kulla 7, kati II, www.living.al Tiranë, Shqipëri facebook/Living Tel: +35544800008 instagram/Living_Albania Fax: +35544800001 youtube/TringDigital email: [email protected] twitter.com/TringDigital Kushtuar bashkëshortit tim, Billit, i cili ka pasur gjithnjë besim tek unë FALËNDERIME Me shumë kënaqësi dua të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që më ndihmuan, më mbështetën dhe besuan tek unë, përgjatë këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Pikësëpari, ky roman nuk do të ishte përfunduar, po të mos isha bazuar në veprën “Jetët që lanë pas: Valixhet e një papafingoje spitali” të shkrimtarëve Darby Penney dhe Peter Stastny. Libri i tyre më frymëzoi dhe më hapi sytë për botën që rrethonte spitalet dhe të sëmurët mendorë në të shkuarën. I detyrohem shumë Darby Penney-t që pati kohë t’u përgjigjej pyetjeve të mia lidhur me spitalin “Uillard” dhe gjendjen e pacienteve femra në vitet 1930. Shpresoj të më falni për ndonjë pasaktësi historike dhe për mënyrën krijuese që mund të kem përdorur. Dua të falënderoj Deborah Jiang Stein-in, shkrimtaren dhe bashkëthemeluesen e projektit “unPrison” që iu përgjigj të gjitha pyetjeve të mia lidhur me gjendjen e femrave nëpër burgje. Gjithashtu, një falënderim shkon edhe për Andrew Thompson-in, që më përcolli të gjitha njohuritë dhe informacionet që kishte për oficerët e burgjeve. Dua të falënderoj të afërmit dhe miqtë e mi, të cilët më kanë mirëkuptuar përgjatë kohës që isha e zënë, që më kanë falur sa herë kam qenë e detyruar t’u thosha “jo” dhe që më lejuan të kisha kohën dhe hapësirën e nevojshme për të respektuar afatet kohore. Do t’ju jem ngaherë mirënjohëse që nuk e humbët kurrë besimin tek unë, për durimin dhe mirëkuptimin gjatë këtij rrugëtimi me shumë të përpjeta e të tatëpjeta dhe, mbi të gjitha, për dashurinë tuaj. Do ta nënvlerësoja, nëse nuk do të shprehja mirënjohjen time për grupin e leximit në BP. Nuk mund ta imagjinoja përjetimin e këtij rrugëtimi të shfrenuar dhe gjallërues pa miqësinë dhe këshillat tuaja të vyera. Ne po e pushtojmë botën së bashku, duke i nxjerrë librat me radhë! viii Falënderime Me shumë kënaqësi dua të shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time të madhe për shoqen time, që e kam si motër, Barbara Titterington-in. Faleminderit që ishe një nga përkrahëset e mia më të mëdha dhe që lexove kopjen e parë të dorëshkrimit tim. Mendimi yt se unë shkëlqej përherë, më jep forcë për të ecur përpara. I jam përjetësisht mirënjohëse redaktorit tim të mrekullueshëm, John Scognamiglio-s, për besimin që pati tek unë dhe agjentit tim të duruar e mendjehollë, Michael Carr. Nuk mund t’ju falënderoj dot kurrë mjaftueshëm për mbështetjen tuaj të palëkundur, për këshillat e vlefshme dhe ndihmën tuaj për ta bërë këtë histori edhe më të veçantë. Dua të falënderoj gjithashtu edhe publicisten time, Vida Engstrand-in, që bëri reklamimin e romaneve të mia dhe Meryl Earl-in, drejtoren e të Drejtave, që arriti të siguronte të drejtat e librave të mi edhe jashtë vendit. Një falënderim shkon edhe për Kristine Mills-Noble-n, e cila realizoi skicat e mrekullueshme të kopertinës. Sërish, dua të falënderoj pa masë ekipin e Kensingtonit për punën e palodhshme që ka bërë në prapaskenë. Nuk mund të rri pa shprehur dhe përmendur mirënjohjen time për njerëzit që jetojnë në dhe pranë komunitetit tim. Dua të theksoj se inkurajimi dhe mendimet e bibliotekares që më ftoi të bëja një prezantim, të gazetarit që shkroi një artikull për mua, të anëtarit të klubit të librit që më ftoi në shtëpinë e tij, të përkrahësit të internetit apo të dikujt tjetër që e lexoi veprën time dhe më tha se i pëlqeu shumë, ishin shumë të rëndësishme për mua. Duke parë buzëqeshjen dhe fytyrat tuaja të emocionuara, m’u mbushën sytë me lot dhe zemra plot krenari. Këto kanë qenë gjërat më interesante të kësaj përvoje, që nuk kam për t’i harruar kurrë. Dua të falënderoj nga thellësia e zemrës nënën time të dashur, Sigridin, që ishte pikëmbështetja ime më e madhe, dhe nuk mund të mos falënderoj bashkëshortin tim, Billin, që më mirëkuptoi gjatë gjithë kësaj periudhe. Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, dua të shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time të madhe për fëmijët e mi, Benin, Xhesikën dhe Shanen, si dhe për nipërit e mi, Rajlin, Harperin dhe Linkolnin. Ju jeni arritja ime më e madhe dhe ju dua me gjithë shpirt. Vetëm ju i jepni kuptim jetës sime. KAPITULLI 1 Izabela Spitali i sëmundjeve mendore “Uillard” 1995 S’kishin kaluar veçse pak minuta që kur vuri këmbë në mjediset e spitalit “Uillard”, kur shtatëmbëdhjetëvjeçarja Izabela Stoun, e kuptoi se po gabonte. Kushdo që mund ta shihte duke qëndruar në rrugën kryesore, të prishur dhe plot puseta të kësaj prone të madhe të rrethuar me pemë, nuk do ta imagjinonte se ç’tmerr po përjetonte ajo në vetvete. Atë të shtunë me mjegull fundgushti, puhiza e ngrohtë sillte me vete aromën e kallamave dhe leshterikëve, dhe shkulmat e herëpashershëm të erës bënin që gjethet e korijeve me pisha, që gjendeshin në anën e majtë të oborrit të hapur, të fëshfërinin. Prej tokës së zhuritur nga dielli, ngrihej një afsh me avuj të nxehtë dhe në barin pranë pyllit gjinkallat zukatnin duke lëshuar tinguj që sa vinin e shtoheshin bashkë me temperaturën e lartë, që dukej se nuk kishte ndër mend të ndalej. Lëndinat e zbukuruara të Uillardit linin pas godinat kryesore, duke zbritur tatëpjetën drejt bregut shkëmbor të liqenit Seneka. Barkat me vela lundronin nëpër dallgë dhe një mol i gjatë përvijohej si për t’i ftuar të gjithë të hynin në ujin vezullues. Izabela, të cilën i ati e thërriste Izi, duhej të ishte duke shijuar rrezet e ngrohta të diellit dhe peizazhin e mrekullueshëm, por 2 Ellen Marie Wiseman në fakt, po skërmiste dhëmbët duke u përpjekur të fshinte nga kujtesa imazhin e një vrime në kafkën e të atit nga ku gjaku rridhte çurg. Ndihej si e zënë në kurthin e purgatorit. A do të gjente ndonjëherë paqe apo do të mbetej gjithnjë ajo shtatëvjeçarja që përjetonte pambarimisht natën e tmerrshme të vrasjes së të atit? Izi doli nga hija e Chapin Hall-it, godina kryesore e institucionit, dhe u gjend nën diellin e nxehtë, ku po qëndronte symbyllur dhe po përpiqej të ndrydhte të gjitha mendimet. Por kur u kthye dhe ngriti sytë nga godina trekatëshe me tulla e stilit viktorian, me dritare si të katedraleve, e zaptoi sërish makthi. Një kube gjigante dykatëshe me frëngji ngrihej mbi një mansardë të zezë mbi të cilën dukeshin ca dritare papafingoje, kullëza dhe oxhaqe. Porta gjigante e hyrjes kryesore mbrohej nga një portik i gurtë me kolona të krisura. Kangjellat e hekurta mbulonin dritaret e gjata me shumë panele, shumica e të cilave kishin edhe nga një shtresë kompensate brenda, përveç dritareve të papafingos dhe frëngjive të rrumbullakëta të kubesë. Kjo godinë dukej më tepër si një vend i përndjekur nga fantazmat, sesa si një vend që kishte për qëllim të ndihmonte njerëzit. Izi vriste mendjen se çfarë tmerresh mund të kishte parë kjo ndërtesë kaba. Çfarë kujtimesh të lemerishme mund të lidheshin me tullat, suvanë dhe xhamat e mjegullt, që kishin qenë përherë pjesë e kësaj strukture të ngritur e të vulosur me gjak dhe lot? Ashtu si dhembja dhe ankthi që do të ishin gjithmonë pjesë e saj, edhe kujtimet e mijëra shpirtrave të torturuar do të vazhdonin të jetonin në Chapin Hall dhe në godinat përreth të spitalit “Uillard”. Si ka mundësi që ky vend mund të ishte gjithçka, përveçse një kujtim i trishtuar i jetëve dhe i personave të dashur të humbur? Ajo u kapërdi e u kthye për nga liqeni dhe njërën dorë e vuri mbi sy, për t’u mbrojtur nga dielli. Vriste mendjen nëse lundërtarët i hidhnin ndonjëherë sytë nga spitali dhe mendonin se grumbulli i godinave me tulla dhe lëndinat i përkisnin ndonjë klubi apo kolegji, sepse, po t’i shikoje nga larg, gjithçka dukej e rregullt dhe elegante. Por ajo e dinte shumë mirë. Filloi të imagjinonte pacientët e dikurshëm në oborr, të ulur në karrige me rrota ose duke tërhequr këmbët zvarrë mbi barin e rritur, rrobat e spitalit Misteret e Klarës 3 që vareshin në parmakët e hollë dhe sy që zgurdulloheshin. Teksa sodiste liqenin blu, imagjinonte sikur ishte një prej tyre. A arrinin ta kuptonin këta pacientë se njerëzit që jetonin përtej gjirit, shëtisnin me barka, gatuanin, dashuroheshin dhe bënin fëmijë? A e pyesnin ndonjëherë veten ata nëse do të largoheshin nga spitali, nëse do t’i bashkoheshin botës “normale”? Apo ndoshta nuk e kishin aspak idenë për jetën që po humbnin? Izi ndjeu një boshllëk në stomak teksa një kujtim tjetër i regëtiu në mendje: e ëma, Xhoisi, duke u dergjur në një shtrat në spitalin psikiatrik “Elmira”, me flokë të shkalafitur e shikim të përhumbur, me një vështrim të zbrazët ngulur në tavan. Ajo qe një ditë mbytëse, njësoj si kjo e sotmja dhe Izi e mbante mend mirë rimelin dhe penelin e së ëmës, që rridhte mbi mollëzat e zbehta, si një kloun që shiu po e bënte qull.
Details
-
File Typepdf
-
Upload Time-
-
Content LanguagesEnglish
-
Upload UserAnonymous/Not logged-in
-
File Pages358 Page
-
File Size-