At Foti Cici Midis shqiptarësisë dhe grekësisë Nga bujtja e Nolit tek zhvarrosjet e Përmetit Botimet GLOBUS R, Tiranë 2006 © At Foti Cici Të gjitha të drejtat e rezervuara. 1 Parathënie Ky libër përmban pjesën më të madhe të shkrimeve të mia, botuar në shtyp dhe në Internet gjatë tre vjetëve të fundit, 2003-2006. Të gjitha tekstet janë ripunuar, madje disa prej tyre rrënjësisht, janë plotësuar me shënime bibliografike dhe renditen këtu në gjashtë tema/kapituj. Esetë dhe trajtesat që nuk u përfshinë në këtë libër, ato që janë botuar dhe ato që s’janë botuar ende, presin të plotësohen e të konceptohen në dy vëllime të tjera, ndoshta tok me shkrimet që do të dalin mbas reagimeve mbi këtë libër. Temat e librit Në kreun e parë, përmes tri trajtesash, bëhet një hyrje në veprën kishtare shqip e anglisht të Fan S. Nolit. Nuk u zgjerova më tepër në këtë temë shumëpërmasore, sepse nuk dua që vëmendja e lexuesit të përqendrohet dhe të mbetet tek Noli vetëm, në dëm të temave njësoj të rëndësishme. Në fakt, synimi i këtij botimi është të bëjë një hyrje në të gjitha pikat kulturore të ortodoksisë shqiptare, duke iu shmangur përngjitjes dhe mitizimeve. Në kreun e dytë renditen shtatë ese të shkurtra mbi gjuhën dhe simbolet e kishës ortodokse shqiptare. Siç do të shquajë lexuesi, këto përsiatje dalin brenda realitetit të sotëm dhe janë shkruar në një gjuhë gjithëshqiptare, ashtu si gjithë libri. Në fakt, këto shkrime përmbajnë tharmin e temave tona më të zëshme sot. Gjithsesi, çështjet mbi gjuhën dhe simbolikën ortodokse nuk janë të shterueshme këtu, prandaj dhe presin të plotësohen në të ardhmen. Në kreun e tretë përfshihen ese të ndryshme në përmbajtje, por me të njëjtën përqasje, në luftë me mitologjinë nacionalkomuniste, me rrënjët dhe me degët e saj shumëngjyrëshe në kulturën shqiptare. Duke shkelur e rrëmuar zona të ndaluara, përndryshe vetëm për Fisnikët, e duke përkufizuar me një frymë dyplanëshe, domethënë ndershëm, nga njëra anë doli çmërsi i plagëve shqiptare, ndërsa nga ana tjetër mbeti shija e athët e çmitizimit. Në kreun e katërt bëhet një përpjekje për të ripërkufizuar zonën shqiptaro-greke. Përderisa kjo nuk mund të trajtohet duke iu shmangur qerthullit të saj ndër shqiptarë, kryepeshkopit Anastásios Janullatos, nuk jam fshehur por, përkundrazi, jam çliruar, në mënyrë që të përsiatem e të debatoj në vijim mbi sfondin dhe përmasat kulturore të grekësisë në Shqipëri. Ngjarjet e këtij viti dëshmuan se sa e dobishme është një ripërqasje e tillë sot. Në kreun e pestë hapet një debat mbi manipulimin mendor, përmes një trajtese mbi një nga figurat e ortodoksisë shqiptare dhe njëherësh viktimë e emocioneve kulturore në rajon. Nga manipulimi i ngadaltë, si pasojë e miteve dhe ideologjemave shqiptaro-greke, tri esetë në vijim përballin egërsinë e mendjemanipulimit si pemë e kulteve, përmes teknologjisë përkatëse, duke marrë shkas nga vetëvrasjet e shqiptarëve dhe spekullimet mbi to. Në kreun e gjashtë nis një përsiatje e një studim për të kallëzuar rrëshqitjet kishtare të vitit të fundit, që nga mbyllja e misionit të Kanadasë, e deri tek zhvarrosjet e Përmetit, pa lënë mënjanë debatin e nxehtë mbi identitetin tonë kulturor. Ky ligjërim i çlirët për integritet e për 2 balancë, është pjesë e përqasjes ndërdisiplinore, prandaj dhe nuk mund të ndahet nga trungu i këtij botimi. Nga ana tjetër, kreu i fundit ka hapur një fazë të re në shkrimet e mia. Modestia e librit Përmbajtja e e ngjeshur e këtij libri dëfton njëkohësisht se sa shumë lëndë mbeti pa cekur, në përpjekje për të rrokur ato më të ngutshmet. Duke shkruar nën një trysni të tillë hapësinore, dhe jo vetëm, jam i ndërgjegjshëm për mungesat e këtij libri, aq më tepër kur përfshirja ime fillestare në publicistikë nuk kishte për synim botimin e asnjë libri të tillë, përndryshe temat e këtushme do të ishin më të njëtrajtshme në përmasa dhe më të bashkëlidhura në brendi. Nga ana tjetër, nuk u mjaftova thjesht me paraqitjen e shkrimeve siç janë lexuar dikur, por u mundova që këto shkrime të përmirësohen e të përditësohen, në mënyrë që ky libër t’i shërbejë sadopak lexuesit të kultivuar shqiptar. Edhe pse me frymë të hapur kritike, autori nuk është ndarë nga respekti për cilësinë e sotme shqiptare, përndryshe nuk do të kishte kaq shumë shënime e citime, dhe kaq përkujdesje e detaj në të shkruarit shqip. Mjaft shënime janë të domosdoshme për lexuesin e sotëm shqiptar, për arsye të specifikës ortodokse dhe të ngjyresave të saj të shumta e të panjohura në këtë periudhë kulturore. Të tjera shënime janë shtuar për të sugjeruar tema të tjera parashtrimi, ndoshta nga të tjerë autorë, duke ftuar edhe studentë universitarë e pasuniversitarë të përfshihen në lexime e punime ndërdisiplinore. Për sa u përket shënimeve, fakte të stërthëna nuk janë cituar në këtë libër, as ato të dhëna që janë të ofrueshme për të gjithë dhe që nuk përbëjnë kontribut individual të askujt autori. Gjithsesi, duke e ngarkuar këtë libër tekstologjikisht, me kaq shumë referenca, e kam bërë vetëm për kompromis, duke u negociuar për mungesën e kompromisit në frymën e diskursit. Si çdo libër që përmbledh tekste të shpërndara, edhe këtu do të hasen disa përsëritje faktesh e shprehjesh, për të cilat lexuesit i kërkoj ndjesë. Me mundësitë e sotme teknologjike, është shumë e lehtë që këto përsëritje t’i ndreq e t’i lëmoj brenda një ore, por qëllimisht nuk e bëra në të gjithë librin. Sepse duke lexuar autorë të shkuar e të sotëm, kam shquar se përsëritjet në librat e tyre, edhe pse në dukje bezdisëse, më kanë ndihmuar t’i njoh më mirë tezat e parashtruara, nganjëherë të shkodizoj edhe disa çaste të vetë autorëve, por mbi të gjitha të kuptoj se kur shkrimet kanë fill e nerv, përsëritja nuk është kurrë çaprashitje, sesa një këmbanë që bie fisnikërisht përgjatë leximit… Ka të ngjarë që në këtë libër të gjenden edhe shprehje të padëshiruara jo vetëm për lexuesin, por dhe për vetë autorin. Sepse përpjekja jonë për t’u zhveshur krejt nga gjuha dhe nocionet e mendimtarisë së shkuar, është një betejë e kudondodhur dhe jetëgjatë, përderisa letërsia e diktaturës u konceptua pikërisht si art “i së ardhmes”. Arti i Realizmit Socialist u rrënjos si sëmundje ngjitëse dhe e trashëgueshme në kulturën shqiptare, prandaj dhe fryma e këtij arti sillet dukshën e padukshëm ndër shqiptarë. Gjithsesi, çdo autor ka aspektin e tij tokësor, njerishmërinë e tij, nga e cila askush nuk ka shpëtuar. Provokimet e librit Të gjitha këto ese janë shkruar për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga larmia jonë spirituale e politike. Kam dashur t’iu bëj të lexueshme bashkëkohësve të mi frymën dhe përmasat kulturore të ortodoksisë shqiptare; pikat e përbashkëta, por dhe pikat jo të përbashkëta. Kjo 3 bëhet edhe kur kumtoj jashtë këtij lëmi, sepse vetëm përmes njohjes më të mirë të njëri- tjetrit, do të aftësohemi të dalim nga miti shqiptar i tolerancës fetare, për të arritur dashurinë ndërfetare midis nesh. Kjo dashuri e shqiptarit për shqiptarin, në ardhtë një ditë, jo vetëm që do të na shpëtojë nga urrejtja dhe armiqësia e sotme brendashqiptare, por do të na ruajë nga mblesët e importuar, si dhe nga kushtvëniet e dashurisë tejshqiptare. Sepse thelbi i dashurisë është i pakonvertueshëm… Është thënë nga dashakeqët, midis të tjerave, se shkrimet e Foti Cicit kanë një frymë provokuese. Është e vërtetë, përndryshe nuk do të ishin botuar. Në fakt, as duhet të ishin shkruar në një frymë tjetër. Problemi është se mendësia e sotme shqiptare e ka ngushtuar konceptin e provokimit brenda një emocioni negativ, në një kohë kur provokimi është edhe sfidë, është edhe ngacmim, është edhe nxitje, është edhe ftesë për përfshirje a për garë. Për më tepër, provokimi ka edhe një kuptim tjetër, më fisnikun e tij në historinë njerëzore, atë të apelit, siç është përjetësuar ky në të drejtën e lashtë romake: Ad populum provocatio esto (“Populli [le] të ketë të drejtën e apelimit”, Cicero: De legibus 3, 6). Më kujtohet kur lexova dikur dizertacionin për doktoratë të kryepeshkopit të sotëm të Athinës, Kristódhulos, shkruar shumë vjet para se të bëhej i tillë, një temë tepër ngacmuese (provokuese) për realitetin kishtar e politik në Greqi, mbi kishat e kalendarit të vjetër, të cilat ende sot vijojnë të ndara nga kisha zyrtare e Greqisë. Autori shkruan në hyrjen e veprës dyvëllimëshe, pikërisht se e publikonte këtë punim “për të provokuar irritime [për të shkaktuar ngacmime] në kryesinë e Kishës sonë dhe në botën e kalendarit të vjetër”. Sepse ishte e drejta e tij, si i krishterë ortodoks dhe si intelektual, t’i provokonte shkaktarët, fajtorët dhe faktorët, për të mos shtënë heshtje mbi heshtje e mëkat mbi mëkat, por për të nxitur zgjidhje të problemeve. Por jo në Shqipëri… Qysh në kohët e lashta, pra, e për më tepër sot, njeriu ka ndjerë nevojën të kundërshtojë rrethanat e madje dhe fatin e tij. Sepse njeriu e ka për tendencë ta kërkojë të drejtën, pikërisht se vetë natyra njerëzore e ka për tendencë edhe ta shkelë të drejtën e tjetrit. Në ortodoksinë shqiptare liria e fjalës është shkëmbyer sot me liri të tjera. Kjo, mjerisht, e ka çuar hiearkinë ortodokse larg traditës sonë, duke na hequr madje dhe të drejtën e fjalës. Një shkelje e tillë e integritetit të komunitetit tonë, kjo përndjekje e pagjakshme, pra, nuk ka ndodhur as kur kisha jonë vijonte nën regjime diktatoriale. Sidoqoftë, ftesa për një luftë njësoj të pagjakshme, për integritet, është e dyfishtë sot, si nga doktrina ortodokse, ashtu dhe nga doktrinat kulturore për integrim në një shoqëri të hapur. Këto shkrime, nga njëra anë ringjallin luftën e ortodoksëve për të tejkaluar vetveten, siç do të shquhet në kreun e parë të librit, por nga ana tjetër zhgënjejnë e frikësojnë kur përshkruajnë ndërlikimet e sotme shqiptaro-greke, siç do të trajtohet në kreun e fundit.
Details
-
File Typepdf
-
Upload Time-
-
Content LanguagesEnglish
-
Upload UserAnonymous/Not logged-in
-
File Pages211 Page
-
File Size-